Deputetët e listave të PD e LSI, që pranuan mandatet në kuvend, krijuan dy grupe parlamentare në seancën e sotme të Kuvendit.
Duke qenë se këta deputetë nuk përfaqësojnë partitë e opozitës, grupet e formuara sot nuk mbajnë emrat e partive që kanë braktisur parlamentin.
Deputetët e dalë nga listat e Partisë Demokratike krijuan Grupin Parlamentar “Demokrat” me këtë përbërje:
Kryetare Rudina Hajdari dhe anëtarë Myslim Murrizi, Korab Lita, Arben Elezi, Arlind Çaçani, Halil Jakimi, Alban Zeneli.
Deputetët e dalë nga listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim krijuan Grupin Parlamentar “Të Pavarur” me këtë përbërje:
Kryetar Nimet Musaj dhe anëtarë Edlira Hyseni, Enver Roshi, Ralf Gjoni, Ediola Braha, Ylli Shehu, Aurora Mara.
Në seancën e sotme, deputetja Rudina Hajdari tha se grupi i saj parlamentar është i gatshëm të bashkëpunojë me maxhorancën për reformën zgjedhore dhe se ky grup do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në muajin qershor. Hajdari paralajmëroi se grupi po përgatitet “për të shpalosur një alternativë” për të ndryshuar systemin.
Mbetet e paqartë se në çfarë mënyre kanë në plan deputetët e këtij grupi parlamentar të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, por gjasat janë që deputetja Hajdari të ketë nënkuptuar krijimin e një partie të re.
Kushtetuta përcakton se Parlamenti i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë. Zëvendësimet e deritanishme të deputetëve të opozitës nuk kanë mundur ende ta sjellin parlamentin në gjendjen e tij kushtetuese. Parlamenti ka aktualisht vetëm 102 nga 140 deputetë.