
Pas deputetëve gjermanë, duket se dhe Holanda po kundërshton progres-raportin e KE-së që i rekomandon vendeve anëtare hapjen e negociatave me Shqipërinë.
Tetë deputetë holandezë, që nisën sot një vizitë zyrtare në Tiranë, me qëllim vlerësimin e reformave, u shprehën se Shqipëria ende nuk është gati për hapjen e negociatave, pavarësisht progres-raportit pozitiv të KE-së.
Plotësimi i 5 kushteve të vëna zyrtarisht nga institucionet evropiane nuk mjafton për hapjen e negociatave ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së shpjeguan deputetët e gjashtë partive kryesore holandeze. Ata thanë se Shqipëria duhet të trgojë se ka vendoshmërinë e duhur për të dënuar korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin.
Po ashtu ato theksuan se rritja e kriminalitetit shqiptar në Holandë është shqetësuese dhe nuk ndihmon aspak në procesin e integrimit evropian.
Në fund të vizitës, deputetët do të hartojnë një raport për kuvendin holandez, në bazë të së cilit kuvendi do të votojë pro ose kundër propozimit të KE-së për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në
Deputetët e gjashtë partive kryesore holandeze takuan sot Kryeministrin Rama e më pas liderin e PD-së Lulzim Basha, ndërkohë që nesër do të zhvillojnë takime të tjera.