Pas një lajmi në programin Nieuwsuur të Televizionit Kombëtar të Hollandës, në të cilin shefi i policisë së Rotterdamit Frank Paauw lajmëroi se në tre vitet e fundit mafia shqiptare ka rritur ndjeshëm aktivitetin e saj në Hollandë, deputetët e Partisë Liberal-Konservatore (VVD), Foort van Oosten dhe Malik Azmani, i kanë dërguar parlamentit hollandez një sërë pyetjesh për Ministrin e Drejtësisë dhe Sigurisë, Ferdinand Grapperhaus.
Sipas Nieuwsuur, aktiviteti kriminal shqiptar në Hollandë është trefishuar—nga 300 ngjarje kriminale në vitin 2015 në një mijë në vitin 2016. Shefi i policisë së Rotterdamit deklaroi se:
Kokaina dhe trafikimi i qënieve njerëzore janë biznesi i tyre kryesor. Ato kanë një rol të spikatur dhe bashkëpunojnë me grupe të etnive të tjera. Kriminelët shqiptarë si brenda dhe jashtë Evropës, po rriten si grup në trafikimin e drogës në Hollandë.
Deputetët hollandezë Van Oosten dhe Azmani kanë kërkuar sqarime nga ministri në lidhje me deklaratat e bëra nga Paauw, dhe nëse është e kujdesshme të presësh raportin e monitorimit të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili do të publikohet në dhjetor, për vendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë.
Pyetjet e dy deputetëve liberal-konservatorë, pasojnë pyetjet e tre deputetëve kristian-demokratë të drejtuar po Ministrit të Drejtësisë dhe Sigurisë, në fund të gushtit, pasi gazeta De Telegraff ngriti alarmin për rritjen e pranisë së mafias shqiptare në Hollandë.
Ky fuqizim përkoi me periudhën kur Shqipëria ra pre e kultivimit masiv të kanabisit nën mbrotjen e hapur të ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili kohët e fundit është akuzuar për lidhje me organizatat shqiptare të trafikimit të drogës me veprim në Itali.
Atëherë, përgjigjia mospërfillëse e ambasadores së Shqipërisë në Hollandë Adia Sakiqi shkaktoi jo pak zemërim, dhe tani duket se faktet nuk mund të shpërfillen më.
Tani që dy partitë liberal-konservative— VVD, partia e Kryeministrit Mark Rutte, dhe CD, partia e opozitës kristian-demokrate—kanë folur hapur mbi rivlerësimin e përjashtimit të Shqipërisë nga lëvizja pa viza, duket se është krijuar një platformë e gjerë dhe me gjasa një shumicë e tillë që parlamenti hollandez të vendosë për rifutjen e regjimit të vizave.
Sikurse Exit.al ka sqaruar, sipas ndryshimeve të fundit të BE-së, një shumicë e thjeshtë e vendeve të BE-së mund të kërkojë vendosjen e përkohshme të regjimit të vizave për zonën Shengen, dhe të detyrojë Komisionin Evropian të rinegociojë me vendin në fjalë.
Duke konsideruar faktin se Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Hollanda të gjitha kanë raportuar fuqizimin serioz të krimit shqiptar, kjo masë nuk mund të përjashtohet, megjithatë do të varet shumë nga monitorimi i Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor.