Rritet numri i deputetëve hollandezë që kërkojnë rivendosjen e vizave për Shqipërinë

Rritet numri i deputetëve hollandezë që kërkojnë rivendosjen e vizave për Shqipërinë

Pas një lajmi në programin Nieuwsuur të Televizionit Kombëtar të Hollandës, në të cilin shefi i policisë së Rotterdamit Frank Paauw lajmëroi se në tre vitet e fundit mafia shqiptare ka rritur ndjeshëm aktivitetin e saj në Hollandë, deputetët e Partisë Liberal-Konservatore (VVD), Foort van Oosten dhe Malik Azmani, i kanë dërguar parlamentit hollandez një sërë pyetjesh për Ministrin e Drejtësisë dhe Sigurisë, Ferdinand Grapperhaus.

Pjesë nga pyetjet drejtuar Ministrit holandez të Drejtësisë dhe Sigurisë

Sipas Nieuwsuur, aktiviteti kriminal shqiptar në Hollandë është trefishuar—nga 300 ngjarje kriminale në vitin 2015 në një mijë në vitin 2016. Shefi i policisë së Rotterdamit deklaroi se:

Kokaina dhe trafikimi i qënieve njerëzore janë biznesi i tyre kryesor. Ato kanë një rol të spikatur dhe bashkëpunojnë me grupe të etnive të tjera. Kriminelët shqiptarë si brenda dhe jashtë Evropës, po rriten si grup në trafikimin e drogës në Hollandë.

Deputetët hollandezë Van Oosten dhe Azmani kanë kërkuar sqarime nga ministri në lidhje me deklaratat e bëra nga Paauw, dhe nëse është e kujdesshme të presësh raportin e monitorimit të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili do të publikohet në dhjetor, për vendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë.

Pyetjet e dy deputetëve liberal-konservatorë, pasojnë pyetjet e tre deputetëve kristian-demokratë të drejtuar po Ministrit të Drejtësisë dhe Sigurisë, në fund të gushtit, pasi gazeta De Telegraff ngriti alarmin për rritjen e pranisë së mafias shqiptare në Hollandë.

Ky fuqizim përkoi me periudhën kur Shqipëria ra pre e kultivimit masiv të kanabisit nën mbrotjen e hapur të ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili kohët e fundit është akuzuar për lidhje me organizatat shqiptare të trafikimit të drogës me veprim në Itali.

Atëherë, përgjigjia  mospërfillëse e ambasadores së Shqipërisë në Hollandë Adia Sakiqi shkaktoi jo pak zemërim, dhe tani duket se faktet nuk mund të shpërfillen më.

Tani që dy partitë liberal-konservative— VVD, partia e Kryeministrit Mark Rutte, dhe CD, partia e opozitës kristian-demokrate—kanë folur hapur mbi rivlerësimin e përjashtimit të Shqipërisë nga lëvizja pa viza, duket se është krijuar një platformë e gjerë dhe me gjasa një shumicë e tillë që parlamenti hollandez të vendosë për rifutjen e regjimit të vizave.

Sikurse Exit.al ka sqaruar, sipas ndryshimeve të fundit të BE-së, një shumicë e thjeshtë e vendeve të BE-së mund të kërkojë vendosjen e përkohshme të regjimit të vizave për zonën Shengen, dhe të detyrojë Komisionin Evropian të rinegociojë me vendin në fjalë.

Duke konsideruar faktin se Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Hollanda të gjitha kanë raportuar fuqizimin serioz të krimit shqiptar, kjo masë nuk mund të përjashtohet, megjithatë do të varet shumë nga monitorimi i Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>