Deputeti gjerman Krichbaum shpjegon qëndrimin e CDU-së: Xhafaj nuk duhet të jetë ministër

Deputeti gjerman Krichbaum shpjegon qëndrimin e CDU-së: Xhafaj nuk duhet të jetë ministër

Gunther Krichbaum, kryetari i Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestagun gjerman, deklaroi sot se ministri Xhafaj nuk duhet të kishte qëndruar në detyrë  pas skandalit të vëllait të tij Agron (Geron) Xhafaj.

Në një intervistë për gazetën Panorama, deputeti i CDU-së tha se në grupin parlamentar të CDU-së është ngritur një grup pune për Ballkanin Perëndimor, ndaj deklaratat kritike të dy deputetëve e tjerë gjermanë Thorsten Frei dhe Jihann David Wadephul, që kanë kërkuar hetim të pavarur dhe largimin e Xhafajt për sa kohë hetimet nuk kanë mbaruar, janë qëndrimet zyrtare të Grupit Parlamentar CDU/CSU të kancelares Merkel.

Deputetët, në të gjitha intervistat, kanë theksuar se hetimi i pavarur dhe mënyra se si çështja do të ndiqet nga drejtësia shqiptare do të jenë të rëndësishme për Gjermaninë gjatë marrjes së vendimit nëse do të hapen negociatat me BE-në për Shqipërinë.

Në qershor Jihann David Wadephul, zëvendës kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së deklaroi:

“Në dijeninë time sipas fakteve te paraqitura dhe ligjislacionit, Ministri i Brendshëm është në këtë rast në konflikt interesi.

Për kredibilitetin e vet ndaj popullit shqiptar si dhe ndaj partnerëve të tij evropianë, Ministri i Brendshëm duhet të jetë i interesuar për një sqarim të plotë të çështjes, por kjo nuk mund të ndodhë nëse ai mbetet në detyrë si person i përfshirë. Kështu që ne ende kemi dyshime të konsiderueshme nëse ekziston vullneti politik për të praktikuar standardet ligjore të BE.”

Ndërsa Thorsten Frei raportues i CDU-së për Shqipërinë, në maj, tha se hetimet për rastin Xhafaj po shihen me vëmendje nga Gjermania:

“Akuzat [ndaj ministrit Xhafaj për ndryshim të ligjit dhe bllokim të zbatimit të ligjeve] janë akuza mjaft serioze.  Mbi të gjitha, duhet të jetë në interes të qeverisë shqiptare që t’i sqarojë këto pohime mjaft shpejt. Është e rëndësishme se si do të gjykojnë ligjërisht politikanët dhe ligjvënësit shqiptarë. Kjo është një çështje besueshmërie.

Vendimtare është sjellja e vetë ministrit. Duhet të jetë e qartë që ai nuk ka shkelur ligjin për të mbrojtur vëllanë e tij. Kjo kërkon një hetim të pavarur.

Në Shqipëri, gjithmonë e kam theksuar, se sa e rëndësishme është që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë përpara ligjit dhe të famshmit të mos trajtohen më mirë. Në këtë kuptim, rastet si këto [të ministrit Xhafaj] janë gjithmonë një provë lakmuese për procesin e reformës në tërësi.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>