Johann David Wadephul, zëvendës kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestagun gjerman, theksoi sërish se nuk do të ketë hapje të negociatave me Shqipërinë pa pasur përparim real në përmbushjen e kritereve të vendosura nga Bashkimi Europian.
Në një intervistë për Deutsche Welle-n pas Samitit të Berlinit, deputeti gjerman u shpreh:
“Konstatoj se bëhen përparime, por ka ende për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës. Sot e kam të vështirë të jap një vendim. Kush dëshiron të hyjë në BE, duhet të afrohet me standardet europiane, dhe kjo nuk ka ndodhur ende në atë masën që ne e konsiderojmë të duhur.”
Pyetur nëse Shqipëria do ta marrë votën pro hapjes së negociatave nga grupi parlamentar CDU/CSU i kancelares Merkel, Zoti Wadepul tha:
“Duhet të presim njëherë raportin e Komisionit të BE-së. Ky do të na vijë pas zgjedhjeve evropiane. Prandaj, sipas gjasave, nuk do të jemi në gjendje që t’i organizojmë konstultat deri në qershor. Vendimi do të merret në shtator.
Nëse Shqipëria i përmbush kushtet për çeljen e negociatave, edhe ne do ta japim votën tonë pozitive në Bundestagun gjerman, duke i mundësuar qeverisë gjermane që të votojë në nivel europian.”
Lidhur me lënien e mandateve nga opozita, deputeti gjerman i kërkoi palëve politike në vend të bashkëpunojnë e komunikojnë për të çuar Shqipërinë përpara:
“Nuk do të dëshiroja të ndërhyja në raportet personale të PD-së në Shqipëri. Ne nuk mund ta sjellim Shqipërinë në Bashkimin Evropian nëse forcat pro-evropiane qofshin ato pro-Rama, qofshin pro-Basha, janë në konflikt me njëra-tjetrën. Prandaj u them partive pro-europiane që të arrijnë kompromise në nivel kombëtar dhe të vijnë së bashku në Evropë. Demokraci do të thotë komunikim, grindje, por edhe aftësi për kompromis. Pa kompromis nuk ka demokraci.”