Deputeti gjerman Wadephul: Pa ndëshkuar ata që blenë votat, CDU nuk voton pro hapjes së negociatave

Deputeti gjerman Wadephul: Pa ndëshkuar ata që blenë votat, CDU nuk voton pro hapjes së negociatave

Johann David Wadephul, zëvendës kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestagun gjerman, deklaroi sot se nëse nuk ndëshkohen ata që kanë blerë vota dhe kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, grupi paralamentar i kancelares Merkel do të votojë kundër hapjes së negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Në një intervistë për gazetën Shekulli, Zoti Wadephul tha se megjithëse ka përgjime që vërtetojnë blerjen e votave, institucionet shqiptare nuk kanë marrë masa për vënien e tyre para drejtësisë:

“Ligjet shqiptare ndalojnë blerjen e votave. Megjithatë, nuk ka ndjekje penale nga zyra e prokurorit publik dhe nuk ka arrestime kundër atyre personave të cilët kanë dëshmuar se kanë blerë votat me anë të regjistrimeve të përgjimit.

Nëse nuk ka progres të vërtetë këtu shumë shpejt, grupi im nuk do të jetë në gjendje të pranojë hapjen e negociatave të pranimit. Sepse kjo është një çështje themelore e sundimit të ligjit dhe është ajo që duhet të garantohet.”

Lidhur me situatën politike, deputeti gjerman tha se kriza politike është e rrezikshme dhe se duhet të zgjidhet me dialog mes shumicës dhe opozitës:

“Shqipëria e gjen veten në një krizë të rrezikshme politike. Kjo është e keqe për perspektivën e vendit në Bashkimin Evropian.

Është detyrë e të gjitha partive pro-evropiane në qeveri dhe opozitë, që të afrohen njëra me tjetrën dhe të jenë të përgatitur për të bërë kompromise reale.

Edhe nëse qeveria Rama ka shumicën në parlament, ajo duhet të jetë e përgatitur për të bërë kompromise reale.”

Johann Wadephul komentoi dhe zhvillimet në Samitin e Berlinit dhe theksoi sërish se shkëmbimi i territoreve nuk është zgjidhje për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë:

“Shkëmbimi i territoreve është alternativa më e keqe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Në deklaratën përmbyllëse në takimin e Berlinit, të gjithë shefat e shteteve dhe qeverive theksuan se marrëveshjet midis Serbisë dhe Kosovës duhet të shërbejnë për stabilitetin rajonal. Ky është një refuzim i të gjitha konsideratave për një shkëmbim territori ose për rregullimin e kufijve etnikë.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>