Deputeti Hyseni fyen personat me aftësi të kufizuar, reagon Shehaj, Vokshi dhe Zaimi

Deputeti Hyseni fyen personat me aftësi të kufizuar, reagon Shehaj, Vokshi dhe Zaimi

Deputeti socialist Alket Hyseni, në një status kundër ish-kryeministrit Berisha, përdori disa herë fjalën “autik” si ofendim ndaj ish-kryeministrit.

Reagimet kundër gjuhës diskriminuese që Hyseni përdori ndaj personave me aftësi të kufizuar, ngjalli menjeherë reagimet e qytetarëve, shoqërisë cilive dhe politikanëve.

Themeluesja e fondacionit “Down Syndrome Albania” Emanuela Pepkola Zaimi kërkoi menjëherë dorëheqjen e tij:

“Nga ky moment e deri sa të bëhet realitet unë do të bëj të pamundurën që ky deputet të japë dorëheqjen e të mos jetë më përfaqësues i popullit shqiptar dhe i paguar me taksat tona. Të mos guxojë më politikan të përdorë gjendjet e fëmijëve tanë për fyerje.”

Deputeti demokrat Agron Shehaj i bëri thirrje Zotit Hyseni të kërkojë ndjesë dhe të japë dorëheqjen:

“Si kontribues i hershëm i fondacionit Down Syndrome Albania, si deputet, si qytetar, por edhe si baba, ndiej detyrën të reagoj ndaj gjuhës fyese e denigruese të deputetit Alket Hyseni. Hyseni përdor gjendjen e të prekurve nga autizmi si formë fyese.
Ai duhet sot, së paku, të kërkojë ndjesë. Dhe, nëse i ka mbetur ndopak ndërgjegje, të japë urgjent dorëheqjen.
Nëse vendin e Hysenit do e zinte një person me aftësi të kufizuara, politika do dilte e fituar.”

Deputetja demokrate Albana Vokshi, po ashtu, denoncoi gjuhën e Hysenit dhe i kërkoi Kryetarit të Kuvendit të marrë masa sipas Kodit të Etikës:

“Deputeti i Ramës Alket Hyseni, në një status në rrjetet sociale, ka përdorur një gjuhë raciste, diskriminuese dhe të papranueshme ndaj personave me aftësi ndryshe duke i përdorur ata si standart përcmimi, sharje e urrejtje.

Heshtja e Ramës dhe e grave deputete te PS ndaj gjuhës së pushtetit që nxit urrejtje e dhunë, është e papranueshme. Gjuha e tij raciste duhet të dënohet hapur dhe prerë nga të gjithë ata që cmojnë dhe respektojnë të drejtat e njeriut. Organizmat ndërkombëtare duhet të reagojnë.

Kryetari i Kuvendit të zbatojë menjëherë nenin 6, të Kodit të Etikës, që ndalon deputetin të përdorë një gjuhë të shprehuri, që nxit urrejtjen dhe diskriminimin ndaj personave me aftësi ndryshe.”

Pas orë pas statusit, deputeti Hyseni e ndryshoi atë, duke zëvendësuar fjalën “autik” me “i çartur”, por nuk ka bërë asnjë deklaratë për të kërkuar ndjesë publike apo për t’ju përgjigjur  kërkesave për dorëheqje.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>