Deputeti i Kosovës Etem Arifi, i cili ishte arratisur pasi u dënua me 15 muaj burg, është dorëzuar në polici dhe filloi të vuajë dënimin më 1 tetor.
Autoritetet i thanë gazetës Koha se Arifi u transferua nga Prishtina në burgun e Lipjanit për të vuajtur dënimin e tij.
Deputeti Arifi është dënuar më 15 muaj burg, në prill 2018, për përvetësimin përmes një skeme mashtrimit të 26 mijë eurove, përmes një organizate jo qeveritare, në bashkëpunim me drejtorin e saj, Bajram Gashi, i cili gjithashtu u dënua.
Arifi duhet të fillonte vuajtjen e dënimit në 9 mars 2020, por gjykata e shtyu atë dy herë me katër muaj në total për shkak të gjendjes jot ë mirë shëndetësore të Arifit. Ai kërkoi sërsih shtyrje të dënimit në korrik, por gjykata e refuzoi.
Pas vendimit përfundimtar të Gjykatës së Apelit më 1 korrik, Arifi duhej të fillonte vuajtjen e dënimit të tij, por ai nuk u dorëzua në polici.
“Prandaj, Gjykata lëshoi një urdhër për [arrestimin] e tij dhe transferimin në qendër për të vuajtur dënimin,” shkruhej në deklaratën për shtyp të gjykatës.
Megjithëse i dënuar, Arifi votoi për rrëzimin dhe formimin e tre qeverive të Kosovës: formimin e Qeverisë Kurti më 3 shkurt, mocionin e mosbesimit kundër të njëjtës qeveri më 25 mars, dhe për formimin e Qeverisë Hoti më 3 qershor.
Në rastin e fundit, vota e tij ishte vendimtare në formimin e qeverisë aktuale, e cila mori vetëm 61 vota në parlamentin me 120 vende, pra numrin minimal të votave të kërkuara.
Partia Vetëvendosje e Albin Kurtit ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të vendosë nëse Qeveria Hoti ishte votuar në mënyrë kushtetuese. Ata pretendojnë se vota e deputetit Etem Arifi e bën votimin e parlamentit të pavlefshëm.