Deputeti Përmeti: Duhet saktësuar lidhja mes pragut zgjedhor kombëtar dhe atij në qarqe

Nga Exit News
Deputeti Përmeti: Duhet saktësuar lidhja mes pragut zgjedhor kombëtar dhe atij në qarqe

Deputeti i opozitës Andi Përmeti deklaroi të hënën se kërkesa e opozitës parlamentare për të ndryshuar pragun zgjedhor në rang kombëtar nuk ka vlerë nëse nuk lidhet me përqindjen e votave që duhet marrë për të nxjerrë një deputet në secilin qark.

Gjatë mbledhjes virtuale të Komisionit të Ligjeve, Përmeti u shpreh:

“Nëse ne nuk saktësojmë shpërndarjen e mandateve duke e lidhur me lidhur me pragun 3 për qind, pragu nuk ka asnjë vlerë.

Bëjeni 5, 10, 20, 30 për qind, nuk ka asnjë vlerë.

Një parti edhe nëse merr 3 për qind në rang kombëtar, nuk fut dot deputet në Kukës pa marrë 33 për qind dhe po e njejta parti, nëse merr 33-40 % në Kukës, nuk fut dot një deputet nga Kukësi nëqoftëse nuk merr 3 për qind të votave në rag kombëtar.

Kjo është një fluskë sapuni nëse ti nuk e lidh me shpërndarjen e mandateve.

Këtë duhet ta qartësojnë shumë mirë relatorët (në propozimet konkrete për pragun zgjedhor) dhe duhet ta kenë shumë të qartë qytetarët.”

Fillimisht, opozita kishte kërkuar që pragu elektoral të rritet nga 3 për qind që është aktualisht, në 5 për qind.

Por sot, deputeti Korab Lita propozoi që ky prag të ulet në 2 për qind, pra jo vetëm më i ulët se propozimi fillestar i opozitës, por edhe më i ulët se pragu që është aktualisht.

Për këtë arsye, komisioni do të rimblidhet në orën 18:00, ku pritet propozimi me shkrim dhe i argumentuar i deputetëve të opozitës për uljen e pragut në 2 për qind.

Siç Exit News ka sqaruar më parë, pragu 5 përqind, siç ka propozuar fillimisht opozita, është i lartë dhe do të penalizojë hyrjen e partive të vogla.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve të 2017-ës, vetëm 3 parti arritën të kalonin këtë prag, përkatësisht, Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe LSI.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>