Deputeti demokrat Agron Shehaj, si përgjigje ndaj gjithë zhvillimeve të fundit politike, kërkon bojkotin e parlamentit dhe largimin e Kryeministrit Rama që praktikisht ka përqendruar të gjithë pushtetet në duart e tij.
Ndërhyrja në prokurori dhe kapja e sistemit të drejtësisë nga Kryeministri Rama, bërja publike e dënimit për trafik ndërkombëtar droge të vëllait të ministrit Xhafaj, si dhe skandali i ish-ministrit Tahiri janë mjaftueshëm arsye sipas deputetit Shehaj për të braktisur parlamentin.
Ndër të tjera Zoti Shehaj shprehet:
“Vënia nën kontrollin personal të Edi Ramës e gjithë sistemit të prokurorisë dhe përdorimi i saj për të mbrojtur krimin qeveritar dhe trafikun e drogës është hapi i fundit në vendosjen e të gjitha pushteteve nën sundimin e plotë të tij.
Në Shqipëri ka rënë rendi kushtetues dhe sundimi i ligjit është zëvendësuar me dikaturën personale të Edi Ramës, i cili kontrollon parlamentin, qeverinë, drejtësinë, si dhe ekonominë dhe mediat nëpërmjet oligarkëve.
Ky është vetëm fillimi i sundimit të tij të përjetshëm, në stilin e diktarorëve lindorë.
Në një parlament që nuk ka asnjë të drejtë të opozitës dhe që nuk ka asnjë pavarësi, demokracia parlamentare ka vdekur dhe qëndrimi i opozitës në të është thjesht kontribut për një farsë.
E gjithë shoqeria duhet të ndalojë dhe t’i thotë STOP diktatorit, sa nuk është vonë. Është momenti që ne përfaqësusit e popullit t’i drejtohemi popullit për të marrë bashkë me ta vendimin nëse duhet të qëndrojmë më në këtë parlament fals apo duhet ta braktisim atë për të shpëtuar demokracinë.”