Një artikull i joni i para dy ditëve informonte rreth projekligjit të deputetes demokrate Majlinda Bregu në lidhje me përgjegjësinë e portaleve në rrjet për komentet që botojnë lexuesit e tyre në to.
Artikulli jonë bazohej në projekt-ligjin e shpërndarë nga vetë Kuvendi, prandaj ne nuk e menduam të nevojshme të flisnim me Zonjën Bregu rreth tij, duke qenë se u kufizuam në diskutimin e dokumentit formal, përtej opinioneve apo interpretimeve personale.
Pas botimit të artikullit, deputetja Bregu pati mirësinë të na kontaktonte për të na sqaruar se projektligji në fjalë është propozuar prej saj që në janar të vitit 2015. Megjithatë, pas diskutimit në komision ai u tërhoq nga kalendari i punimeve me qëllim për të pritur vendimi përfundimtar të Gjykatës së Strasburgut në lidhje me një çështje që lidhej me objektin e projektligjit.
Deputetja Bregu pohoi për exit.al se ajo nuk ka lidhje me riaktivizimin e projekligjit nga Kuvendi. Për më tepër, ajo shprehet se rishqyrtimi në Kuvend bie ndesh me procedurën parlamentare e cila kërkon që, nëse një projektligj nuk shqyrtohet brenda një afati 8 javor, ai nuk mund të shqyrtohet më.
Zonja Bregu mendon se standardi, që ajo pretendon se ka vendosur Gjykata e Strasburgut, është tashmë “i zbatueshëm drejtpërdrejtë nga çdo vend anëtar i Këshillit të Evropës, përfshirë edhe Republikën e Shqipërisë”, prandaj projektligji i saj nuk është më as i nevojshëm nga pikëpamja legjislative.
Sqarimi i zonjës Bregu mbi datën origjinale të propozimit të saj do të thotë se titulli i artikullit tonë—Projektligji Bregu, riciklim i përpjekjes së qeverisë për të censuruar median—ka qenë i pasaktë, pasi nisur nga kronologjia, duket se ka qenë qeveria që ka ricikluar propozimin fillestar të zonjës Bregu në amendimet që ajo kërkoi t’i bënte ligjit për tregtinë elektronike.