Der Standard fajëson shumicën dhe opozitën për gjendjen politike

Der Standard fajëson shumicën dhe opozitën për gjendjen politike

Gazetarja e Der Standart Adelheid Wölf bëri përgjegjës, përmes një artikulli, shumicën dhe opozitën për krizën politike në vend.

Më poshtë, Exit.al sjell të përkthyer artikullin e plotë:

Tensionet e brendshme midis qeverisë socialiste dhe opozitës demokrate po rriten përpara zgjedhjeve lokale

Qeveria shqiptare vendosi që shqiptarët që jetojnë në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut nuk kanë më nevojë për leje pune nëse dëshirojnë të punojnë në Shqipëri. Kryeministri shqiptar Edi Rama ka marrë drejtim shumë nacionalist për disa vite dhe ka luajtur vazhdimisht me idenë e Shqipërisë së madhe. Veçanërisht, ai është përpjekur të dalë si udhëheqës i të gjithë shqiptarëve në rajon.

Rama gjithashtu ka bërë pjesë qytetarë kosovarë në kabinetin e tij në Shqipëri. Zëvendësministri i Jashtëm Gent Çakaj është kosovar. Ai zëvendësoi Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, të cilin Rama e shkarkoi. Bushati kundërshtoi idenë së Ramës për ta ndarë Kosovën – zona veriore, ku jetojnë shumë serbë, t’i kalonte Serbisë. Në afat të gjatë, politika e Ramës përbën një kërcënim për integritetin e Kosovës, sepse forcon zërat që duan të bashkojnë Kosovën me Shqipërinë.

Rama nuk paraqitet vetëm si nacionalist. Ai duket gjithnjë e më shumë autoritar. Për shembull, Shqipëria kohët e fundit ka rënë shtatë vende, duke u renditur në vendin e 82-të, në indeksin e Reporterëve pa Kufij për lirinë e shtypit . Sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve nga qeveria dhe nga krimi arritën në përmasa shqetësuese në vitin 2018. Raportuesit pa Kufij raportuan se gazetarët janë fyer, kërcënuar me vdekje dhe janë akuzuar me qëllim trembjen e tyre. Rama vetë i drejtohet gazetarët me fjalët përçmuese “kazan”.

Një nga gazetarët, Ylli Rakipi, e paditi kundër Ramës. Më herët, Rama e kishte paditur Rakipin sepse gazetari e quajti atë “klloun”. Diskursi politik në Shqipëri është goxha i ashpër. Kjo ka të bëjë edhe me faktin se dy partitë – socialistët dhe demokratët – kanë luftuar njëra me tjetrën për dekada me radhë, në një mënyrë të tillë që duket më tepër si një luftë për jetë a vdekje sesa një konflikt politik. Madje ka përpjekje të vazhdueshme nga të dyja palët për të bërë fushatë kundër kundërshtarit politik jashtë vendit.

Demokratët bojkotojnë parlamentin

Partia Demokratike ka shkuar shumë larg duke paraqitur vendin nën drejtimin e qeverisë socialiste si një shtet të drogës dhe mafias, duke dëmtuar kështu reputacionin e këtij shteti të bukur të Europës Juglindore. Partia Demokratike ka bojkotuar parlamentin për një kohë të gjatë – gjë e zakonshme në Evropën Juglindore. Çdo javë ka demonstrata nga opozita, të cilat vazhdimisht shkaktojnë trazira. Gjasat që situata të qetësohet janë të pakta.

Shqetësimet e opozitës dhe aktorëve të tjerë të shoqërisë civile janë pjesërisht të ligjshme. Për shembull, ata janë të shqetësuar për kostot që duhet të paguajnë studentët, ose për projekte qeveritare të dyshimta në dëm të interesave të qytetarëve. Por retorika e opozitës ka nxitur trazira. Kreu i PD-së Lulzim Basha në mënyrë të përsëritur flet për “kryeministër të paligjshëm”.

Kryeministri Rama nën presion

Zgjedhjet lokale do të mbahen në fund të qershorit dhe mund të merret me mend se situata do të përkeqësohet deri atëherë. Me shumë gjasa opozita nuk do të marrë pjesë. PD-ja ka marrëdhënie të mira me Gjermaninë dhe kërkon që BE të ndërhyjë për zgjidhjen e konfliktit, siç ishte rasti në Maqedoninë e Veriut në vitin 2015.

Stabiliteti në vend është prekur nga dhe nga reforma në drejtësi, e cila kishte për qëllim kryesisht heqjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar nga sistemi. Me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtarë është ngritur një komision për të hetuar gjyqtarët dhe prokurorët. Megjithatë, kaq shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë larguar nga detyra sa nuk ka më Gjykatë të Lartë funksionale. Jo vetëm që kjo ka krijuar një boshllëk të rrezikshëm për zbatimin e ligjit, por ka krijuar edhe një numër të madh dosjesh që duhet të gjykohen urgjentisht. Kjo nuk është vetëm faji i administratës shqiptare, por edhe i komunitetit ndërkombëtar, i cila nuk ka gjykuar drejtë rrethanat.

Zgjerimi nën kërcënim

Shqipëria duhet të hapë bisedimet me BE-në këtë vit, – por Franca duket se do ta shqyrtojë me shumë kujdes votën pro hapjes së negociatave. Në Paris nuk ka interes për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit. I vetmi interes i Francës është që migrantët dhe azilkërkuesit nga Shqipëria të mos shkojnë aty. Megjithatë, nëse vendet e Ballkanit do të kuptonin se BE-ja nuk do zgjerim të mëtejshëm, kjo do të dobësonte të gjitha përpjekjet e vendeve për të bërë reformat e kërkuara nga BE-ja dhe do të nxiste më tej ndjenjat e autoritarizmit dhe nacionalizmit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>