Deri në shtator KPK nuk do të hapë asnjë dosje të re për veting

Deri në shtator KPK nuk do të hapë asnjë dosje të re për veting

Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve nuk do të hapë asnjë dosje të re për rivlerësim në muajt maj, korrik dhe shtator të këtij viti. Ky vendim u mor më 7 maj nga KPK.

Në janar dhe mars 2019, KPK hapi 72 dosje të reja, përfshirë ato të kandidatëve për SPAK dhe Gjykatën Kushtetuese. Këto vendime u bënë publike vetëm pasi faqja zyrtare e KPK-së u azhurnua dhe shtoi një rubrikë të re në menu, me titullin “Shorti”, opsion që më parë nuk ka qenë.

KPK argumenton se ngarkesa aktuale, si dhe procedurat e përshpejtuara të vetingut, të nevojshme për kandidatët e SPAK dhe Gjykatës Kushtetuese, nuk e lejojnë atë të hapë më shumë dosje dhe të marrë më shumë raste për shqyrtim.

Duhet theksuar se përbërja aktuale e KPK-së, katër ekipe vlerësuese me nga 3 anëtarë secili, fillimisht ishte projektuar të punonte me ngarkesë më të lartë. Por mesatarja e vendimeve të KPK-së është 1,87 vendime në javë, që do të thotë se do të duhen të paktën 8 vjet për të përfunduar vetingun e të gjithë sistemit gjyqësor.

Fakti që KPK-ja nuk është në gjendje të përballojë ngarkesën e punës për procesin e vetingut me një ritëm të arsyeshëm, mund të thotë dy gjëra: 1) vlerësimi fillestar i ekspertëve të OPDAT dhe EURALIUS ishin totalisht jorealist, duke dhënë një pikturë shumë rozë se si do të zbatohej reforma në drejtësi; 2) shkurtimet e buxhetit për reformën e drejtësisë të miratuar nga qeveria Rama kanë pasur një efekt përkeqësues në aftësinë e institucioneve të reformës së drejtësisë për të bërë punën e tyre siç duhet. Më shumë gjasa, është një kombinim i të dyjave.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>