Dështimi i paralajmëruar në arsimin e lartë

Nga Marash Logu
Dështimi i paralajmëruar në arsimin e lartë

Çështja e pagave të pedagogëve të universiteteve publike ishte akti final i dështimit të paralajmëruar të reformës për arsimin e lartë. Përpjekja dëshpëruese e Kryeministrit për ta paraqitur si një çështje debati demokratik në qeverinë e tij ndërmjet ministrit të Financave dhe asaj të Arsimit, nxorri zbuluar problematikën e madhe që ngërthen ligji për arsimin e lartë.

Dhe, pavarësisht propagandës se një reforme historike do ndryshonte rrënjësisht arsimin e lartë publik në vend dhe do t’u jepte zgjidhje problemeve të akumuluara ndër vite, nga praktika po rezulton e kundërta.

Akuzat e akademikëve dhe figurave publike se ligji i ri i arsimit është produkt i lobingjeve klienteliste të njerëzve pranë qeverisë apo pronarëve të universiteteve private duket se po rezultojnë të vërteta. Më të dëmtuarit nga ky proces po dalin universitetet publike, e veçanërisht Universiteti i Tiranës, më i vjetri, më i madhi e pa dyshim më cilësori në vend.

Asnjë nga shqetësimet e ngritura nuk u mor parasysh nga ministria e Arsimit, e cila me kokëfortësi e çoi projektligjin për miratim në Kuvend. Madje arroganca arriti deri aty sa njërit prej akademikëve më të respektuar në vend, zëvëndësministri i Arsimit i kohës iu drejtua me shprehjen “të ka marrë koka erë”.

Mesa duket, konkurrenca e pandershme e privatëve përmes klientelizmit, pasi nuk ia arriti ta mundë në një treg me rregulla arsimin publik, kishte gjetur mekanizmat ligjorë për ta dërrmuar atë.

Ligji prodhonte ndryshime të shumta dhe rrënjësore në arsimin e lartë. Një ndër kritikat më të zëshme — përvec financimit të universiteteve private nga fonde publike — ishte edhe krijimi i një numri të madh  agjensish të reja nën varësinë e qeverisë dhe aktesh nënligjore. Kjo krijonte në mënyrë indirekte varësi nga ekzekutivi duke politizuar të gjithë sistemit të arsimit. Gjithësesi kjo situatë do të kishte qenë deri diku më e pranueshme sikur aktet nënligjore të nxirreshin në kohë.

Aktet nënligjore ashtu siç parashikohej në nenin 141 të ligjit 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, duhet të nxirreshin brenda një periudhe 9 mujore nga hyrja në fuqi e ligjit.

Afatet janë shumë të qarta: ligji është miratuar më 22 korrik 2015, botuar në Fletoren Zyrtare më 21 shtator 2015 dhe ka hyrë në fuqi më 6 tetor të 2015 dhe të gjitha aktet nënligjore duhet të ishin nxjerrë deri në 6 korrik 2016. Qeveria në shkelje haptazi të ligjit nuk ka nxjerrë akoma aktet nënligjore. Veprimi i qeverisë e bënë përveçse e bënë ligjin të pazbatueshëm, prekë direkt studentët, si më poshtë:

Në takimin me senatin akademik të UT-së, ministrja Nikolla pranoi se nuk ka dalë akoma vendimi për kategoritë e shërbimeve publike nga të cilat studentët përfitojnë lehtësira. E përkthyer në fjalë të thjeshta, kjo ka sjellë mospaisjen e studentëve me kartë studenti. Karta e studentit do t’ju mundësonte këtyre të fundit që një numër të konsiderueshëm shërbimesh t’i merrnin me tarifa më të ulta, si dhe një sërë beneficesh të tjera që e shoqërojnë.

Për ta rënduar akoma edhe më situatën financiare të studentëve qeveria as nuk ka marrë mundimin të nxjerrë aktin nënligjor për kreditë studentore, që do i mundësonte atyre pagesën e studimeve me kredi favorizuese. Dhe si këto të dyja mos mjaftonin, për ta varfëruar edhe më tej studentin dhe për t’i hequr mundësitë e përballimit të studimeve, janë rritur çdo vit e më shumë kostot e studimeve.

Nëse do të duhej të përmendja një sukses të këtij ligji, është padyshim se sot studentët shqiptarë janë më të varfërit në Europë.

Së dyti, akredimi aq shumë i propaganduar Kryeministrit dhe i përdorur si mjet kërcënues ndaj Universitetit të Tiranës bënë vetëm vlerësimin menaxherial dhe jo atë akademik të universiteteve.

Akri nënligjorë i “Kodit të Cilësisë së Arsimit të Lartë”, i cili përbën etalonin vlerësues të cilësisë në universitetet tona nuk është miratuar ende. Atëherë përderisa akti nënligjor nuk është miratuar ende, mbi çfarë baze është bërë ky vlerësim i universiteteve publike dhe private?!

Së treti, mungon akti nënligjor për përcaktimin e kritereve për gradën shkencore “Doktor”. Mosnxjerrja e këtij vendimi ka bllokuar doktoraturat dhe kërkimin shkencor në universitete.

Së fundmi, pavarësisht qartësisë që mund të duket në letër, zbatimi në praktikë i ligjit është ku e ku më i komplikuar. Përplasjet e ditëve të fundit në Universitetin e Tiranës janë pasojë direkte e këtij eksperimenti të dështuar dhe produkt i aventurës së rrezikshme ku kjo qeveri e futi arsimin e lartë.

Këto janë pra disa prej problemeve që janë ngritur me forcë nga studentët, pedagogët, shoqëria civile, opozita dhe asambleja e gjithë dashamirësve dhe njerëzve me vullnet të mirë që kërkojnë ta shohin arsimin e lartë në Shqipëri në nivele dhe standarte ndërkombëtare, me një produkt sa më cilësor dhe konkurrues në tregun europian të dijes ku synojmë të integrohemi. Kjo nuk mund të arrihet duke heshtur.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>