Dështon Forca e Ligjit, një i vrarë dhe dy të plagosur në zonën e ish-Bllokut

Dështon Forca e Ligjit, një i vrarë dhe dy të plagosur në zonën e ish-Bllokut

Një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën mbrëmjen e djeshme në një nga zonat më të populluara të Tiranës, në ish-Bllok.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00 ku pas një përplasje në një lokal mbeti i vrarë Fabian Gaxha, (28 vjeç), mik i Ervis Martinajt, (36-vjeç), i cili u plagos bashkë me Elion Hadon (28 vjeç).

Fillimisht, Gaxha, Martinaj dhe Hado thuhet se janë konfliktuar me autorin e vrasjes, i cili mendohet se është një ish-punonjës i Gardës. Më pas dy palët kanë filluar të gjuajnë me armë drejt njëri-tjetrit. Sipas policisë, dyshohet se janë përdorur tre armë.

Duket se Forca e Ligjit, nisma kaq shumë e propaganduar nga Ministri Xhafaj dhe Kryeministri Rama, nuk mund të sigurojë rendin në zemër të Tiranës.

Gaxha, Martinaj dhe Hado nuk janë emra të panjohur për policinë.

Martinaj ishte njëri prej të dyshuarve kryesorë për vrasjen e Enton Nikës në nëntor 2015, e ndodhur në një parkim makinash në zonën e Linzës. Videoja ku dukej bashkë me 5 persona të tjerë teksa godisnin me grushte dhe armë Enton Nikën u bë publike menjëherë pas vrasjes por nuk ndikoi në dënimin e tij.

Në maj 2016, Gjykata e Tiranës vendosi të hedhë poshtë kërkesën e Prokurorisë për ta gjykuar këtë çështje si “vrasje me paramendim” në bashkëpunim, dhe e dënoi Martinajn vetëm më 1 vit e katër muaj burg për “moskallëzim krimi”. Gjykata arriti në përfundimin se vepra penale e vrasjes së shtetasit Enton Nika, është kryer pa paramendim dhe jo në bashkëpunim nga të pandehurit Martinaj, Emiljano Tasho, Bujar Hasani, e Mirsad Kuçana.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>