Procesi i masës së arrestit të Saimir Tahirit ka nxjerrë në publik detaje të reja të lidhjeve të ish-ministrit me vëllezërit Habilaj, kokat e një grupi të strukturuar kriminal që trafikonte drogë nga Shqipëria në Itali dhe Greqi.
Në gusht 2014, një vit pasi shërbente si Ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri ka udhëtuar me një skaf privat nga Shqipëria në Lefkadha të Greqisë, për pushime së bashku me gruan, prindërit e tij, zëvendësen e tij Elona Gjebrea, tashmë deputete socialiste, bashkëshortin e saj dhe fëmijët e të dy çifteve.
Gjatë udhëtimit të tij, skafi që drejtohej nga vetë Tahiri është prishur dhe Tahiri ka komunikuar disa herë me një polic vartës të tij për difektin, i cili e ka këshilluar ta ankorojë skafin. Tahiri e ka ankoruar skafin në bregdetin grek dhe ka kërkuar që polici të udhëtojë në Greqi për të rregulluar skafin. Në një telefonatë me të, Tahiri i ka thënë policit se atë do të vinte ta merrte një njeri i tij i besuar për ta sjellë në Greqi.
Personi i besuar ishte Artan Habilaj, i cili të nesërmen ka marrë policin, me të cilin kishte njohje të mëparshme, dhe kanë udhëtuar bashkë drejt Greqisë, me makinën tashmë të famshme, Audi AA003 GB.
Pas mbërritjes së tyre në Greqi, Tahiri ka marrë makinën Audi dhe ka udhëtuar sëbashku me Gjebrean me makinë drejt Shqipërisë. Nuk dihet se kush tjetër ka udhëtuar me të në makinë, por dihet që Habilaj ka mbetur në Greqi me skafin.
Pasi nuk është arritur të riparohej, skafi është dërguar në Brindizi nga Artan Habilaj.
Ndërkohë, pas rreth një muaji drejt Brindizit kanë udhëtuar për të marrë skafin polici Naim Brahimaj, me Moisi Habilajn dhe Aurel Konakçiun.
Ky fakt është pranuar nga Brahimaj dhe vërtetohet nga të dhënat e sistemit TIMS të hyrje-daljeve në kufijtë e vendit—Brahimaj, Habilaj dhe Konakçiu kanë udhëtuar në shtator 2014 drejt Italisë, me traget nga Durrësi në Bari dhe më pas me tren nga Bari në Brindizi.
Skafi i prishur ndodhej pikërisht në Brindizi. Personat që kishin marrë përsipër rregullimin e tij nuk kishin mundur ta rregullonin ndaj skafi do të kthehej sërish në Shqipëri.
Pas kthimit në Durrës, sërish me traget, skafi fillimisht u bllokua nga policia në momentin e daljes, por më pas u paraqit pronari i mjetit me gjithë dokumentet dhe skafi i prishur u nxorr në tokë dhe u la në bregdet.
Gjatë një seance parlamentare, opozita bëri publike një foto të skafit në bregdet duke hedhur akuza se skafi i përket Saimir Tahirit, në atë kohë Ministër i Brendshëm. Ministri mohoi çdo gjë dhe pas këtij denoncimi, skafi u lëviz nga bregdeti dhe u vendos në ruajtje në mjedisin e Hotel Royal, në autostradën Tiranë-Durrës.
Saimir Tahiri ka mohuar për shumë muaj se ka patur ndonjë njohje dhe kontakt personal me vëllezërit Habilaj. Shitjen e makinës tek ta ai e ka justifikuar se është bërë përmes xhaxhait të tij. Ndërkohë, ngjarja e mësipërme tregon se e kundërta është e vërtetë—Tahiri dhe Habilaj kanë patur marrëdhënie të afërt dhe besimi.
Sot, Saimir Tahiri po përballet me gjykatën e Krimeve të Rënda për verifikimin e masës së sigurisë. Avokati i Tahirit, Maks Haxhia, tha se do të kërkojë shfuqizimin e vendimit që ka marrë gjykata për vendosjen e masës së arrestit “arrest shtëpie”.