Dhe droga vazhdon të fluturojë mbi qiejt e Shqipërisë…

Dhe droga vazhdon të fluturojë mbi qiejt e Shqipërisë…

Ka histori që krijojnë zhurmë dhe zhurma që krijojnë histori…

Këto ditë u rishfaq historia e avionëve ultra të lehtë të cilët trasportojnë drogën nga Shqipëria në Itali. Këtë herë nuk u bllokua ndonjë avion, por u botuan foto, xhirime dhe dëshmi nga barinjtë e një fshati pranë Vlorës, të cilët tregojnë se kanë dëgjuar shpesh herë zhurmën e avionëve gjatë natës dhe kanë parë nga larg zjarre që mund të kenë shërbyer për uljen e tyre.

Historia e avionëve të drogës u deklarua, për herë të parë, në publik nga ish Kryeministri Sali Berisha, dy vjet më parë, por deklarata e tij u prit nga një korr “i skandalizuar” socialistësh të cilët u tallën se ish Kryeministri ngatërronte mushkonjat me avionë.

Pa u shuar mirë vetëkënaqësia socialiste për talljen me Berishën, si “ndëshkim” nga qielli erdhi avioni i Riformatos që ngeci në plazhin e Divjakës, ku e prisnin bashkëpunëtorët shqiptarë me qindra kilogramë drogë gati për t’u ngarkuar.

Pak kohë më pas, skandali u zmadhua me historinë e arratisjes në perëndim e deklaratat akuzuese të Dritan Zaganit, agjent i antidrogës shqiptare, i arrestuar për dekonspirim duke i kaluar informata policisë italiane për sekuestrimin e drogës me prejardhje nga Shqipëria. Policia shqiptare deklaroi se agjenti i tyre ishte paguar nga policia italiane, ndaj ai ishte një tradhëtar i korruptuar.

Zagani akuzoi direkt Ministrin e Brendshëm për përfshirje në trafikun e drogës e cila transportohej me makinën e tij private nga disa kushërinj të tij në Vlorë. Ministri u shfajësua duke deklaruar se makinën ja kishte shitur kushërinjve, por kur media bëri publik faktin se makina ishte ende e regjistruar në emër të Ministrit, ai u shfajësua se nuk e kishte kaluar pronësinë e makinës tek kushërinjtë pasi donte të shmangte një vendim gjykate që e kishte dënuar të dëmshpërblente për shpifje vajzën e ish Kryeministrit Berisha.

Përballë këtyre akuzave dhe fakteve dramatike, si përpara çdo problemi tjetër, Kryeministri Rama reagoi duke shpallur suksesin e rradhës. Fillimisht, në një ceremoni në prani të disa ambasadorëve, përfshi atë italian, dhe më vonë në një emision televiziv ai deklaroi se ishte një sukses i madh i policisë zbulimi dhe arrestimi i agjentit që i kalonte informacione një zyrtari të policisë financiare italiane, i cili, sipas tij, ishte i përfshirë në trafikun e drogës.

Pala italiane nuk reagoi fare, duke lejuar në mënyrë të pabesueshme që një ndër oficerët e saj më të vlerësuar të lidhej me trafikun e drogës, dhe e gjithë kjo për të mos shqetësuar “miqtë” e qeverisë shqiptare.

Më pas, policia italiane arrestoi në Piemont disa persona që kishin modifikuar një avion ultra të lehtë për të transportuar drogë. Mediat italiane informuan se avioni kishte bërë disa udhëtime në Shqipëri. Qeveria shqiptare e përgënjeshtroi kategorikisht këtë gjë, duke organizuar një konferencë shtypi me përfaqësuesin e Interpolit Italian, i cili paturpësisht deklaroi se avioni i sekuestruar në Itali nuk vinte nga Shqipëria (e vërtetë pjesërisht), duke anashkaluar qëllimisht çështjen nëse avioni ishte përdorur apo jo për transport nga Shqipëria, në të shkuarën.

Me pak fjalë, reagimi italian i deritanishëm ka qenë mohimi i gjithçkaje për të mbrojtur flamurin e një qeverie përherë e më të korruptuar ose të paktën totalisht të paaftë për të përballuar këtë dukuri.

Tani, fakteve për transportin ajror të drogës nga Shqipëria në Itali ju shtua edhe një provë tjetër, vetëm pak ditë pas nënshkrimit të një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë për kontrollin e kufirit shiptaro-grek.

Shumë kanë dëgjuar zhurmën e avionëve, të tjerë i kanë filmuar avionët mbi Vlorë, madje edhe avionët ushtarakë italianë i kanë përgjuar, por policia shqiptare sërish nuk di asgjë.

Me sa duket, droga do të vazhdojë të fluturojë mbi qiejt e Shqipërisë…

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>