Qeveria Shqiptare ka vendosur të harxhojë mbi 1.9 miliardë lekë për të përmirësuar mënyrën e raportimit të kasave fiskale në Drejtorinë e Përgjithshme e Tatimeve pasi konkludon se të dhënat që transmetohen aktualisht “shfaqin gabime” dhe nuk shërbejnë dot për “nxjerrje xhiroje”.
Në fund të muajit korrik strukturat e Kontrollit Tatimor vërshuan drejt plazheve dhe zonave turistike të vendit dhe pasi morën në sitë mijëra biznese, bllokuan aktivitetin për 30 ditë kalendarike për dhjetra lokale, restorante dhe hotele të cilët nuk lëshonin kuponin tatimor.
Kuponi tatimor lëshohet nëpërmjet kasave fiskale, një sistem super i kushtueshëm i raportimit financiar i cili i transmeton të dhënat në kohë reale nga bizneset te tatimet.
Megjithatë, edhe pse shqiptarët kanë paguar disa dhjetëra milionë euro si sipërmarrës apo taksapagues gjatë tetë viteve të fundit për këtë sistem fiskal, të dhënat e zbuluara nga BIRN tregojnë se ai nuk funksionon.
Ndërkohë, qeveria e cila vazhdon t’i ndëshkojë bizneset për mospërdorimin e sistemit, mendon se një investim i ri me vlerë rreth 1.9 miliardë lekë (rreth 15 milionë euro) do të mund ta ndryshojë gjendjen.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, një institucion pranë Këshillit të Ministrave, njoftoi së fundmi hapjen e një tenderi që synon të rregullojë atë që nuk ka funknsionuar deri tani në sistemin e shumëdebatuar të kasave fiskale, një sistem i instaluar fillimisht në vitin 2010, i cili solli fitime marramendëse për një grup kompanish të licencuara nga qeveria për shitjen dhe mirëmbajtjen e kasave, por që nuk solli ndonjë përmirësim të dukshëm në të ardhurat buxhetore apo në cilësinë e menaxhimit fiskal.
Dokumenti i tenderit rendit 13 probleme të rënda me sistemin aktual, përfshirë ato që i quan “gabime” në raportim dhe “vështirësi në nxjerrjen e të dhënave për sa i përket xhiros sipas datave, muajve, vitit…”
Ky është një nga investimet më të mëdha në sistemin e menaxhimit fiskal të vendit ndërsa leverdisshmëria ekonomike e këtij investimi mbetet e dyshimtë, për shkak se nuk dihet nëse sistemi i ri do të sjellë apo jo rritje të të ardhurave.
BIRN iu drejtua me një kërkese për koment Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve duke kërkuar informacion mbi promblemet e sistemit aktual të kasave fiskale dhe detaje për studimin e kostove dhe efikasitetit te sistemit të ri që po blihet, por nuk mori përgjigje.
Kasat nuk shmangën evazionin
Në vitin 2007, qeveria e kohës vendosi të krijojë sistemin e kasave elektronike me transmetim në kohë reale në tatime, një sistem që shumë vende e kanë zbatuar dekada më parë dhe më pas kanë hequr dorë për shkak të mungesës së leverdisshmërisë ekonomike. Teorikisht kasat printojnë një faturë për mallin apo shërbimin e paguar nga klienti në një biznes çfarëdo dhe në kohë reale krijojnë një faturë elektronike, e cila i transferohet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në mbyllje të ditës së punës. Në teori, shumatorja e këtyre faturave të lëshuara nga një biznes i caktuar i ndihmon tatimet për të llogaritur xhiron e subjektit si dhe detyrimet fiskale. Kur kasat u instaluan për herë të parë në vitin 2010, qeveria e kohës pretendoi se vendosja e këtij sistemi do të shmangte automatikisht evazionin fiskal dhe do të rriste të ardhurat buxhetore.
Por që në fillim, instalimi i kasave duket se nuk u bë në mënyrë të integruar. Nga kompanitë e licencuara për shitjen e kasave, disa filluan të shesin makina të thjeshta llogaritëse dhe u mbrojtën me argumentin se ligji i qeverisë nuk e kishte specifikuar se çfarë kapacitetesh duhet të kishin kasat e shitura.
Në total, në Shqipëri u shitën mbi 160 mijë kasa me një çmim mesatar prej 300 eurosh për kasë dhe një total prej dhjetëramilionë eurosh. Por pasi kasat u instaluan u vu re një problem. Tatimet nuk kishin kapacitetet teknike për të grumbulluar të dhënat e raportuara nga kasat.
Një donacion privat i kompanive celulare, të cilat përfitojnë nga sistemi përmes instalimit të kartave sim për transmetimin e të dhënave, krijoi një sistem të quajtur Nexus. Tatimet pretendojnë se këto kasa janë të fiskalizuara, d.m.th, që shërbejnë për të matur xhiron e bizneseve dhe për të llogaritur detyrimet fiskale. Por fakti është se dhjetëra milionë eurot e paguara për kasa fiskale nuk kanë sjellë ndonjë përmirësim të dukshëm në të ardhurat tatimore nga TVSH e brendshme apo nga Tatimi i Fitimit. Edhe sot, njësoj si në kohën para kasave fiskale, mbi 76% e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar arkëtohet në dogana nga mallrat e importit dhe vetëm 24% nga TVSH e brendshme, në një kohë kur supozohet se vlera e shtuar është shumë më e lartë nga importi i mallrave deri te shitja finale.
Dokumenti i tenderit ankohet se kasat që shiten aktualisht në Shqipëri për të cilat bizneset paguajnë rreth 300 euro janë të cilësisë së keqe, nuk kryejnë mbyllje automatike të ditës së punës.
“Në shumë raste janë hasur probleme me modemin e transmetimit jo cilësor,” shkruhet në përshkrimin e punës për fituesin potencial të tenderit.
“Kur pajisjet fiskale standarde transmetojnë më shumë se një datë brenda një skedari, dhe skedari ka brenda disa rreshta me nr. 10, ngarkohet në sistem vetëm rreshti i parë (rreshti 10 i datës së parë). Rreshtat e tjerë që përmbajnë xhiron ditore të datave te tjera nuk ngarkohen. Kjo ndikon të gjithë raportet që dalin mbi xhiron e pajisjes fiskale duke vështirësuar nxjerrjen e xhiros për një kasë fiskale. (ditore, mujore, vjetore),” shkruhet më tej në raport.
Investimi më i shtrenjtë në të gjitha kohërat
Administrata tatimore ka kryer edhe më parë investime të mëdha në teknologjinë e informacionit, të cilat, kur janë përzgjedhur për t’u përdorur, janë prezantuar si mrekulli që do të luftojnë evazionin fiskal. Rasti i fundit i një investimi të tillë të shtrenjtë ishte viti 2015, kur rreth 16 milionë euro u hodhën për të krijuar një sistem elektronik të quajtur Cots, i cili supozohej se do të menaxhonte nga njëra anë komunikimin elektronik dhe vetëdeklarimin e bizneseve pranë tatimeve dhe nga ana tjetër, do t’i mundësonte tatimeve kapacitete analizuese të të dhënave, përfshirë menaxhimin e riskut.
Të dhënat e mbledhura në mënyrë elektronike krijojnë mundësinë e analizimit të shpejtë, i cili, përmes përdorimit të formulave matematike, është në gjendje të ngrejë “flamuj të kuq” për transaksione apo biznese të caktuara që mund të jenë në kushtet e shmangies fiskale apo evazionit fiskal. Inspektorët janë në gjendje të përqendrojnë kapacitetet e tyre kontrolluese në terren duke inspektuar ato biznese që shfaqin më shumë “flamuj të kuq”. Për shembull, kur një biznes raporton norma fitimi në mënyrë konstante të ulëta për disa vjet me rradhë, atëherë kjo gjë ngre një flamur të kuq për bilance të falsifikuara për shkak se supozohet se në një situatë normale norma e fitimit të bizneseve do të variojë një vit e lartë e një vit më e ulët.
Të 16 milionë eurot për sistemin Cots duket se nuk mjaftojnë dhe për këtë qëllim, tatimet kanë në plan të shpenzojnë edhe 15 milionë euro të tjera për përmirësimin e sistemit Nexus me tenderin aktual.
Në fakt, propozimi për koncesionin e TVSH-së i prezantuar nga Ministria e Financave në janar të vitit 2016 kishte për synim ekzaktësisht zëvendësimin e sistemit Nexus të transferimit të të dhënave nga kasat fiskale te administrata tatimore. Koncesioni nuk u materializua pasi qeveria u tërhoq.
Administrata tatimore dhe doganore shqiptare mund të konsiderohen si një nga administratat më të kushtueshme në botë sa i përket kostos së shpenzuar për mbledhjen e të ardhurave. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, kryen herë pas here analiza mbi efikasitetin e punës së administratave fiskale nëpër vendet anëtare të saj për të parë se cili nga shtetet është më i aftë që të mbledhë të ardhurat tatimore duke shpenzuar më pak.
Sipas OECD, administrata fiskale i kushton vendeve normale rreth 1% të të ardhurave tatimore. Aktualisht në Shqipëri kostoja e tatimorëve dhe doganierëve dhe sistemeve shoqëruese është sa 2.1% e të gjitha të ardhurave, por kjo kosto përfshin vetëm shpenzimet buxhetore dhe jo shpenzimet private, të tilla si shpenzimet e bizneseve për kasa fiskale që duket se nuk kanë funksionuar që prej tetë vitesh tashmë dhe që kërkojnë edhe 15 milionë euro të tjera investim me supozimin se një ditë do të mund të funksionojnë.
Sistemi i ri i kërkuar nga tatimet është Oracle. Kompania fituese do të duhet të dorëzojë produktin brenda dy vjetësh nga data e fitimit të tenderit si dhe të ofrojë mirëmbajtje për dy vjet të tjera. Ofertat e tenderit hapen më 17 shtator 2018.
Ky artikull u publikua më parë tek Reporter.al.