Dhjetëra të vdekur nga tërmeti i magnitudës 6.8 që goditi Turqinë

Nga Exit News
Dhjetëra të vdekur nga tërmeti i magnitudës 6.8 që goditi Turqinë

Të paktën 21 persona vdiqën dhe mbi 1,000 të tjerë raportohet të jenë lënduar nga tërmeti i magnitudës 6.8 Richter që goditi rajonin lindor të Elazigut në Turqi të premten.

Lëkundjet e forta u shënuan rreth orës 21:00. Epiqendra ishte 550 kilometra në lindje të Ankarasë. Tronditja u ndje edhe në Gjeorgji, Armeni, Siri, Liban dhe Iran.

Mbi 200 pasgoditje, disa edhe të forta, ndodhën më vonë duke frikësuar mijëra banorë, të cilët kaluan natën jashtë.

Mediat raportojnë se deri mëngjesin e sotëm ekipet e kërkim shpëtimit kanë lokalizuar rreth 30 raste të ngecjeve të njerëzve nën rrënoja ndërsa kanë mundur të shpëtojnë dhjetra të tjerë.

Të paktën 17 persona vdiqën vetëm në Elazig dhe 4 të tjerë në Malatya.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan komentoi në Twitter se po merreshin të gjitha masat për të tejkaluar situatën dhe që nga kjo tragjedi të kishte sa më pak humbje.

Problemi kryesor për momentin duket të jenë temperaturat. Zona njihet për klimën e ftohtë ku temperaturat shkojnë deri -8 gradë celcius.

Presidenti Meta, Kryeministri Rama dhe kryetari i PD-së Basha përcollën mesazhe mbështetëse me shpresën që të ketë sa më pak humbje jetë njerëzish.

Turqia është vend me aktivitet të lartë sizmik. Në vitin 2010 në të njëjtën zonë një tërmet i magnitudës 6 shkaktoi 51 të vdekur, ndërsa 20 vite më parë një tërmet i magnitudës 7.6 në Izmit la rreth 17 mijë të vdekur dhe rreth 500 mijë të pastrehë.

Tërmeti më i fortë në historinë moderne të shtetit turk është ai i vitit 1939 në Erzincan i magnitudës 7.8 që la mbi 35 mijë të vdekur.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>