Disa dhoma avokatie në Turqi do të bojkotojnë një ceremoni të Gjykatës së Lartë, pasi kjo ka vendosur ta zhvillojë atë në pallatin presidencial të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Dhomat e avokatisë deklaruan se kjo ceremoni gërryen themelet e ndarjes së pushteteve në Turqi.
Kritikat ndaj Erdoganit se ai dhe partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim ushtrojnë trysni dhe ndikim te organet e drejtësisë janë shtuar pas raprezaljes së qeverisë ndaj të dyshuarve si organizatorë të grushtit të shtetit të vitit 2016, si dhe ndaj familjarëve, mbështetësve apo simpatizantëve të Lëvizjes Gylen, të cilën qeveria e akuzon si ideatore të grushtit të shtetit.
Akuzat ndaj Erdoganit për ndikim në drejtësi u shtuan më tej, sidomos pasi partia e tij humbi zgjedhjet vendore në disa qytete të mëdha, dhe arriti t’i përsërisë ato përmes interpretimeve të dyshimta ligjore, që u mbështetën nga drejtësia.
Dhjetëra dhoma avokatie në Turqi, përfshirë ato në Stamboll dhe Ankara, kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në ceremoninë e datës 2 shtator të Gjykatës së Lartë në pallatin presidencial. Ceremonia shënon nisjen e vitit të punës për sistemin gjyqësor turk. Sipas Dhomës së Avokatisë së Stambollit, përzgjedhja e vendit për mbajtjen e ceremonisë përbën “mohim të të gjitha mësimeve të demokracisë, ligjit dhe drejtësisë”.
Kryetari i kësaj dhome Mehmet Durakogllu u shpreh se ky aktivitetet tregon se si e mendon Gjykata e Lartë ndarjen e pushteteve.
“Ndarja e pushteteve është shkatërruar”, – tha ai, duke paralajmëruar se Erdogani dhe Gjykata e Lartë duhet ta kuptonin mesazhin e bojkotit të tyre, përndryshe “protesta të tjera mund të vijojnë”.
Ceremoninë nuk do ta bojkotojnë të gjitha dhomat e avokatisë në Turqi.
Gjykata e Lartë reagoi duke thënë se ata që do të bojkotojnë ceremoninë nuk do të mbështeten nga populli.
Kjo ceremoni u organizua për herë të parë në pallatin e Presidentit Erdogan pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016, i cili i dha shkas Erdoganit ta rriste më tepër pushtetin e presidentit. Kritikat e shumta bënë që në vitin 2017 ajo të mos mbahej në pallatin e Erdoganit, por një vit më pas, në 2018, u mbaj sërish atje.