Aktori i Hollivudit Leonardo di Caprio ka reaguar sërish të martën për lumin Vjosa.
Ai ka kërkuar politikës shqiptare që të mbështesë kthimin e Vjosës në Park Kombëtar.
Di Caprio ka shpërndarë një video të lumit Vjosa në Instagram dhe u kërkon të gjithëve ta shpërndajne dhe ka etiketuar në postim Edi Ramën, Lulzim Bashën, Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën. Të njejtën gjë kërkon dhe nga të tjerët.
“Lumi Vjosa është lumi më i madh i egër në Europë”, ka shkruar di Caprio.
Ai shprehet se lumi është jetësor i rëndësishëm për më shumë se 1 100 lloje të peshqve të ujërave të ëmbla dhe “është i rëndësishëm për njerëzit në Shqipëri”.
Dje Parlamenti Europian nxiti autoritetet shqiptare të krijojnë sa më shpejt të jetë e mundur Parkun Kombëtar Vjosa, duke shtrirë tërë gjatësinë e lumit.
Besjana Guri përfaqësuese e EcoAlania tha të hënën në emisionin “Me pak Fjalë” se “lugina e Vjosës nuk gëzon asnjë status mbrojtjeje nga qeveria”.
Ajo bëri apel për shpalljen e luginës park kombëtar për ta mbrojtur nga ndërtimi i HEC-eve.
Ndërtimi i dy hidrocentraleve (HEC) të mëdha në lumin Vjosë ka më shumë kosto se përfitime nga një analizë që përllogarit një dëm rreth 500 milionë euro.
Përgjatë Vjosës, janë planifikuar 8 diga ndërsa 23 HEC-e të vegjël në degët e saj. Megjithatë dy hidrocentrale janë rreziku kryesor i Vjosës, i Poçemit dhe Kalivaçit të cilët janë me diga dhe që krijojnë rezervuarë të mëdhenj duke përmbytur shumë hapësira përqark dhe duke ndryshuar përfundimisht gjithë rrjedhën e Vjosës, të paktën rrjedhën e mesme dhe të poshtme.
Për momentin, punimet në të dy këto HEC-e është pezulluar. Në vitin 2020, Ministria e Mjedisit nuk i dha lejen mjedisore koncesionarit të HEC-eve që i kishte dhënë më parë lejen në vitin 2017.
Çështja është në Gjykatën e Apelit pasi Shkalla e Parë i dha të drejtë qeverisë.