Përfaqësuesit e grupimit ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’ propozuan disa mënyra për sigurimin e përfaqësisë së diasporës në kuvendin shqiptar.
Në një intervistë pwr emisionin ‘Me pak fjalë’ në Euronews, Bledar Milaqi sqaroi:
“Shqiptarët me banim jashtë Shqipërisë mund të votojnë për kandidatët që janë në vendin e regjistruar në regjistrin civil.
[Mund] të votohet për një zonë të 13, ekstra territoriale ku emigrantët të përfaqësohen.
Votim elektronik, me postë ose në qendra të hapura nga qeveria.”
Grupimi DSHL është pjesë e grupit të punës të ngritur nga KQZ për mundësimin e votës së tyre ne zgjdhjet e 2021, por përfaqësuesit e saj kanë kërkesat e tyre:
“Ne duam të bëhet mirë dhe jo ‘shkel e shko’. Kemi vënë re nga qeveria me emërime të personave politikë si komisioner të diasporës. Ne e kemi kundërshtuar. Duam të bëhet vota, por duam të bëhet saktë.”
Ata u shprehën se çdo emigrant, pavarëisht se jeton jashtë, ka familjen në Shqipëri dhe kërkon të ketë shërbime për familjarët e tij.
Bledar Milaqi deklaroi:
“Pavarësisht se jemi jashtë, kemi lidhje të drejtëpërdrejta, kemi familjet, miqtë aty. Lidhja asnjëherë nuk ka qenë e shkëputur.”
Ata shpjeguan se ndër vite, remitancat e emigrantëve kanë qenë faktor i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, ndaj e drejta e tyre për votë është një e drejtë që lind natyrshëm për një sërë arsyesh.