Florian Haçkaj në Zvicër dhe Bledar Milaqi në Gjermani, përfaqësues të grupit “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” biseduan të hënën në darëk me Neritan Sejaminin në “Me pak fjalë”, në Euronews.
Haçkaj dhe Milaqi treguan për hërë të parë se po mendojnë të garojnë në zgjedhjet e vitit 2021.
Florian Haçkaj u shpreh:
“Po ne do të angazhohemi politikisht, ç’ka do të thotë të flasësh të ngresh çështje për Shqipërinë dhe Diasporën.
Ne po i mendojmë gjërat. Dhe nuk do të dalim pak para zgjedhjeve. Jemi në diskutim edhe me grupe të tjera.
Ne duam të sjellim shembullin e njeriut të thjeshtë që merr përgjegjësi dhe e bën. Nëse ne do ta hedhim këtë hap kjo do të jetë qasja jonë. Ne do të jemi aty për të përmbushur detyrimet tona.”
Ata thanë se përfaqësimi i diasporës në Kuvend do t’i japë njerëzve “shembullin se duke qënë i pakorruptuar mund të arrish gjëra”.
“Diaspora ka kërkesat e veta. Dashuria nuk përkthehet në remitanca dhe në fjalë. Por duam shkolla shqipe, lehtësi për të investuar në Shqipëri”, tha Haçkaj.
Ai shtoi se “1000 nga bizneset e shqiptarëve në Itali t’i hapet rruga të investojnë në Shqipëri”.
“Duke i dhënë zë diasporës mund të jetë sinjal për rikthimin e trurit dhe të diasporës në vend”, theksuan ata.