Drejtuesit e shoqatës Diaspora për Shqipërinë e Lirë, që kanë qenë pjesë e grupit të punës në KQZ, për garantimin e votës së emigrantëve jashtë vendit, u shprehën në emisionin “Me Pak Fjalë” se i druhen njollosjes së procesit.
Bledar Milaqi deklaroi se procesi për garantimin e votës së diasporës në zgjedhjet e 2021 ka dështuar.
“Diaspora për Shqipërinë e Lirë” ndihmoi KQZ-në me punë kërkimore në lidhje me modelet se si mund të regjistrohen dhe votojnë emigrantët jashtë vendit. Por mospajtimi i palëve politike dhe polemikat mes tyre për çështje teknike bënë që të tejkalohen afatet për realizimin e votës së diasporës.
Sipas KQZ-së, ka rreth 900 emigrantë që kanë regjistruar vendbanimet jashtë vendit, nga rreth 1.3 milionë me të drejtë vote.
Sipas Florian Haçkajt, ky numër ka qenë 32 mijë por është ulur pasi ndryshoi nga qeveria procedura e regjistrimit.
Për të propaganduar regjistrimin e emigrantëve, qeveria ka krijuar pozicionin e oficerëve të diasporës. Por Haçkaj deklaroi se këta persona përbëjnë “rrezik të madh” për procesin pasi “po bëjnë propagandë për marrë votues”.
“Ne kemi frikën e një realizimi në minutë të fundit për ata eksponentë që ata i kanë zgjedhur për ti dhënë votën ktyre, dhe ne si grupim luftojmë që të bëhet vota realitet por edhe që të bëhet mirë dhe jo të njolloset herën e parë që bëhet,” shtoi ai.