“Partitë politike i tremben kësaj vote, sepse mund të sjellë ndryshim të realitetit”, u shpreh Bledar Milaqi, përfaqësues i grupimit Diaspora për Shqipërinë e Lirë në emisionin “Me pak fjalë”, të martën në darkë, në Euronews.
Megjithatë ai u shpreh se vota e diasporës është një realitet që sado të mundohet, politika shqiptare nuk do të mund të shmangë sepse është një e drejtë që dhe shumë vende të tjera në rajon po e mundësojnë.
Milaqi tha se në takimet e tyre me përfaqësues të politikës kanë vënë re vullnet deri diku pozitiv për këtë kërkesë, por sërish diaspora mbetet skeptike deri në momentin kur të shohin hapa konkretë.
Përfaqësuesit e DSHL-së theksuan se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të gjetur mënyrën më të përshtatshme dhe të drejtë për të realizuar votën e diasporës që në zgjedhjet e vitit 2021.