Organizata Diaspora për Shqipërinë e Lirë (DSHL) i kërkon tre partive kryesore, PS, PD dhe LSI, të garantojnë të drejtën e emigrantëve për të votuar nga vendet ku banojnë.
Në letrën e DSHL-së thuhet se tre partitë kanë heshtur deri tani lidhur me votën e emigrantëve megjithëse KQZ u ka dërguar atyre propozimet “mëse 10 ditë më parë.”
Grupi i diasporës u bën thirrje tre partive t’i përmbahen vullnetit të shprehur publikisht për t’i dhënë emigrantëve të drejtën për të votuar nga jashtë vendit.
Grupimi DSHL është pjesë e grupit të punës të ngritur nga KQZ për mundësimin e votës së tyre ne zgjdhjet e 2021.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një konferencë për shtyp, të enjten tha se “duhet konsensus për të siguruar votën e emigrantëve. Nëse nuk bie palët dakord ne nuk do ta zbatojmë projektin”.
Më herët, Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se ka nisur manipulimin e votës së emigrantëve duke emëruar eksponentë të lartë të Partisë Socialiste për regjistrimin e tyre.
Nga ana tjetër PS pretendon se PD dhe LSI nuk duan që emigrantët të votojnë nga jashtë vendit.
Në mbledhjen e fundit të KQZ-së, përfaqësuesit e palëve nuk arritën një konsensus lidhur me votën e emigrantëve.
Në dhjetor 2020, KQZ propozoi votimin e emigrantëve “përmes postës dhe shkarkimin e fletës së votimit online nga faqja e KQZ-së”.
KQZ u ka dërguar gjithashtu palëve propozimin ku parashikohet se si do të regjistrohen emigrantët për të votuar.