“Kur shtrohet pyetja për Shqipërinë që të bëhet sa më shpejt anëtare e BE-së, ka dhe njerëz që janë skeptikë. Kjo lidhet me histori si kjo: Në tetor prokuroria kërkoi heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri…sepse emri i tij përmendej disa herë në telefonatat mes tregtarëve shqiptarë dhe italianë të drogës.”
Kështu shkruan gazeta gjermane “Die Welt” në një artikull për vizitën e Kryeministrit Rama në Berlin. Kjo vizitë ka për qëllim sigurimin e mbështetjes për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Sipas DeutscheWelle, artikulli i kushton vëmendje rastit të ish-ministrit Tahiri duke shkruar se çështja Tahiri është një nga rastet kryesore që përcaktojnë imazhin e Shqipërisë në pjesën tjetër të Europës.
Die Welt citon gjithashtu raportin e Interpolit për vitin 2017, i cili e rendit Shqipërinë ndër prodhuesit më të mëdhenj të kanabisit në Europë dhe pikë të rëndësishme të tregtisë së kokainës dhe heroinës.
“Deri më sot nuk është hequr plotësisht dyshimi se krimi i organizuar ka kapur fort ekonominë e vendit dhe tentakulat e tij arrijnë deri në nivelet më të larta të qeverisë. Në raportin e Interpolit për vitin 2017, Shqipëria renditet ndër prodhuesit më të mëdhenj të kanabisit në Europë, ky vend përshkruhet si pikë e rëndësishme e tregtisë me kokainën dhe heroinën”, shkruan Die Welt.