Dielli jonë lind nga Perëndimi

Nga Ted Kopliku
Dielli jonë lind nga Perëndimi

Në një vend normal vlerësohen programet dhe vizioni, jo timoni. Ka një formë orientale nga dy krerët e qeverisë në këtë fushatë të të kërkuarit të votës.

Njëri thotë më jep mua të vetëm drejtimin, tjetri thotë dua të jem i pari.

Nga orienti më pëlqen spiritualizmi, jo institucionalizmi. Dua te votoj nje lider europian i cili nuk më tregon çfarë do ai, por çfarë ka në plan për mua dhe ekonominë e vendit.

Rama – Meta jo vetëm që nuk janë dy spiritualistë, por janë dy prestigjatorë të mëdhenj. I pari premtonte Rilindje në 2013-ën dhe i dyti na premtoi vrap të shpejtë drejt zhvillimit.

Shqipëria jo vetëm që nuk “Eci më Shpejt”, por bëri hapa prapa, njëkohësisht e vetmja “Rilindje” që arriti ishte rilindja urbane dhe ajo me një shije të keqe. Sot me të njejtën shije të keqe na ofron “Shqipërinë që Duam” dhe tjetri u bë garant që të jemi “Forcë e Parë” në dëshirën për të lënë vendin. 56 për qind të shqiptarëve dëshirojnë të ikin nga ky vend, 20 për qind më shumë se ditën që këta morën pushtetin (timonin). Në fund të mandatit, fushatën po e bëjnë si opozitë.

Me një qeveri të zgjedhur nga qytetari, që ndikon në çdo aspekt të jetëve tona, nga arsimi, shëndetësia dhe siguria, votimi është një e drejtë e rëndësishme e shoqerisë.

Përtej ngjyrave, erëndësishme është të votojmë masivisht me 25 Qershor, në mënyrë të tillë qeveritë do te kenë frikë nga populli.

Ekzistenca e tyre nuk do të varet nga strukturat e një partie por nga gjykimi i votuesit dhe arsyeja e nje shoqërie.

Forca e votës, duke mundur forcën e pushtetit, na bën një shoqëri më të shëndetshme, në të kundërt i dhurojmë fitoren pikërisht politikanëve që janë shkaktarët e një Shqipërie si kjo e jona. Përgjumja e votuesit është misioni i tyre. Janë ata politikanë që vetëm interesi i lidh me politikën. Por nuk janë të vetmit. Ka akoma në politikë nga ata që e duan Shqipërinë të shndrisë, të cilët mision të vetëm kanë Shqipërinë europiane, fatkeqësitë e këtij populli, varfërinë dhe padrejtësinë që i mundon. Të tillë kam njohur nga afër, duke u bërë frymëzim për mua.

Por, ato duhet të jenë frymëzim për të gjithë për të sjell ndrydhimin përmes votës.

Personalisht do votoj Partinë Demokratike për 1001 arsye edhe pse 1000 i kam kundër.

Arsyeja kryesore ështe qeverisja e katër viteve të fundit nga nje klikë mafioze, pa ekzagjerim.

Rrëzimi i një pushteti bipolar, të cilit mjafton t’i dëgjosh konsideratën që kanë për njeri-tjetrin, është akt patriotik. Maska i ka rënë edhe pa ndihmën e opozitës.

Nuk mund të jem hipokrit të them që përfaqësimi është në nivelet të larta, as që kemi në lista një rini frymëzuese, e cila percjell shpresë – ndoshta këtu ndikon edhe distancimi i shtresës intelektuale nga vendimmarrja dhe politika.

Por kjo nuk është e keqja më e madhe sepse këta në fund janë thjesht kartona, kështu ka treguar parlamentizmi i këtij çerek shekulli.

Kjo mund të korigjohet katër vitet e ardhshme.

Ndaj ne duhet me anë të protestës dhe votimit masiv t’i imponohemi dhe të ndryshojmë Kodin Zgjedhor, pse jo duke futur në kushtetutë edhe VOTËN E BARDHË (votë kundër të gjitha partive nëse përfaqësuesit nuk janë të denjë).

Ndaj më parë është i rëndësishëm votimi masiv dhe shkarkimi i kësaj qeverie.
Unë mirëkuptoj çdo demokrat të zhgënjyer, se zhgënjimi nga familja është më i dhimbshëm se ai nga kundërshtari, Gjithashtu, mendoj që plaga e këtij zhgënjimi nuk është më e madhe se ajo që kjo qeveri i ka bërë Shqipërisë.

Në këtë pikë e vetmja alternativë është vota për Partinë Demokratike, se sot ka nevojë Shqiperia dhe nesër familja politike, jo e kundërta.

Abstenimi apo vota per partitë fantazëm është votë për Edi Ramën dhe Ilir Metën. Votë për pasardhësit e persekutorëve, jo vetem gjenetikisht por edhe ideologjikisht.

Luigji i XIV vetë-quhej “Mbreti Diell” dhe për këtë ju deshën shumë vite ta “meritonte”, tek spoti i Edi Ramës nuk shoh vetëm padurimin e tij për të qënë Diell. Në atë spot shikoj tërheqjen e Shqipërisë zvarr nga Lindja, në një kohë që destinacioni ynë është Perëndimi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>