Rreth orës 1 të mëngjesit të së shtunës, një qendër e regjistrimit të automjeteve u dogj në Zubin Potok dhe granata u hodhën në një qendër tjetër në Zveçan, dy qytetet në veri të Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla i përshkroi këto akte si terroriste dhe kriminale. Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të respektojnë ligjin dhe të mos bien pre e manipulimeve politike.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur, pasi kryeministri Kurti njoftoi se makinave që hyjnë në Kosovë me targa serbe do t’u kërkohet të blejnë targa të përkohshme të Kosovës.
Banorët serbë të veriut të Kosovës protestuan kundër vendimit duke bllokuar rrugët në disa vendkalime kufitare me Serbinë.
Makinat me targa të Kosovës duhet të bëjnë të njëjtën gjë në Serbi që prej vitit 2010, megjithëse një marrëveshje e vitit 2016 e ndërmjetësuar nga BE-ja, kishte kërkuar që të dy vendet të heqin dorë nga kjo masë. Kosova ishte e vetmja që respektoi, derisa marrëveshja përfundoi më 15 shtator.
Ndërsa policia ishte vendosur për të monitoruar situatën në veri të vendit, sot më herët Ministria e Mbrojtjes e Kosovës lëshoi një deklaratë duke hedhur poshtë pretendimet se do të dërgonte trupa ushtarake në rajon. Deklarata i quajti pretendime të tilla “absolutisht të rreme” dhe një përpjekje flagrante për të përhapur dezinformata.