Disa mendime mbi demokracinë e mosdorëheqjes së Edi Ramës

Nga Ilmi Rehova
Disa mendime mbi demokracinë e mosdorëheqjes së Edi Ramës

Ka disa pohime të thjeshta të dy protagonistëve kryesorë politikë, Edi Rama dhe Lulzim Basha, për të justifikuar qëndrimet e tyre në gjendjen e krizës politike që ka mbërthyer vendin.

Qendrimet e zotit Rama mund të përmblidhen pak a shumë si më poshtë:

  • Në Shqipëri nuk ka krizë politike dhe Partia Demokratike ka hyrë në çadër nga frika e vetingut;
  • Ai nuk ka pse të japë dorëheqjen sepse ka një mandat demokratik nga populli;
  • Ai bën çdo kompromis me PD-në dhe për çdo gjë, por nuk heq dorë vetëm nga vetingu i cili është prioriteti numër një i tij.
  • Ai dhe qeveria e tij e kanë transformuar vendin këto katër vjet dhe këtë gjë e ndjejnë të gjithë qytetarët;
  • Ai dhe PS janë plotësisht të sigurtë se do t’i fitojnë thellë zgjedhjet e qershorit dhe madje këtë e dinë edhe të gjithë shqiptarët.

Qëndrimet e Lulzim Bashës mund të përmblidhen pak a shumë si më poshtë:

  • Qeverisja e Edi Ramës është e kriminalizuar dhe rrezik për zgjedhjet e ardhshme;
  • Vetëm një qeveri teknike pa Edi Ramën mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme;
  • Kryeministrin teknik mund ta propozojë Edi Rama;
  • PD kthehet në Kuvend dhe voton vetingun, që të nesërmen e krijimit të qeverisë teknike;
  • Pa qeveri teknike PD nuk hyn në zgjedhje.

Duke i marrë për të sinqerta pohimet e mësipërme, arsyetimi minimal të bën të mendosh se zgjidhja e situatës është e thjeshtë.

Nëse Edi Rama është i sigurtë në fitoren e zgjedhjeve, nëse shqetësim dhe prioritet numër një ka vetingun, nëse ka në dorë ta emërojë ai kryeministrin teknik dhe përbërjen e qeverisë teknike, dhe nëse është i sigurtë se Lulzim Basha nuk e do vetingun dhe mosfutjen në zgjedhje e ka pretekst për vetingun, atëhere zgjidhja për Edi Ramën është e thjeshtë: të japë dorëheqjen, të zgjedhë vetë një kryeministër teknik, të sigurojë vetingun—ose të demaskojë opozitën nëse nuk e mban premtimin për vetingun—të fitojë zgjedhjet e ndershme dhe pas pak javësh të rikthehet triumfalisht si kryeministër i pa kundërshtuar dhe i pa vënë në dyshim nga askush.

Po pse nuk e bën këtë gjë Edi Rama? Çfarë e shtyn atë të shkojë në zgjedhje të cilat nuk janë vërtetësisht pluraliste dhe përfaqësuese, për të marrë një pushtet të debatueshëm që nuk do të shihet mirë nga askush dhe që, me gjasa, nuk do të mund ta mbajë dot gjatë?

Arsyen apo arsyet e vërteta mund t’i hamendësojë gjithkush—sikurse edhe arsyet për qëndrimin e Lulzim Bashës—por vlen të diskutohet a e pengojnë dorëheqjen parimet demokratike.

Mungesa e përvojës dhe botëkuptimit të mirëfilltë demokratik na ka çuar si shoqëri në një botëkuptim të cekët mbi demokracinë perëndimore, i cili zakonisht përmblidhet në disa klishe apo parrulla të thjeshta. Klisheja kryesore që po propagandohet prej javësh është se një qeveri e zgjedhur demokratikisht duhet ta mbajë pushtetin deri në zgjedhjet pasardhëse, pavarësisht keqqeverisjes dhe kundërshtimit të qytetarëve.

Pra, Edi Rama është zgjedhur në mënyrë demokratike dhe mbi bazën e parimeve të demokracisë, ai nuk ka pse të dorëhiqet.

Në fakt, demokracia në formën e saj perëndimore ka të bëjë me humbjen e pushtetit më shumë se me fitoren e tij: thelbi i demokracisë së sotme është heqja dorë nga pushteti në mënyrë paqësore, pa rezistencë, pa dhunë, pa kosto ndaj shoqërisë dhe kalimi i pushtetit tek një palë tjetër.

Në botën perëndimore në pushtet vihet vetëm përmes zgjedhjeve—në varësi të sistemeve elektorale dhe politike, madje edhe me votat e një pakice të qytetarëve—por pushteti lihet jo vetëm kur humbjen zgjedhjet, por sa herë humbet legjitimiteti shoqëror dhe moral: kur përfshihesh në skandale që mbartin përgjegjësi politike edhe pse mund të mos jenë shkelje të ligjit; kur cënohet qëndrueshmëria politike e vendit; kur nuk shmang apo nuk arrin të zgjidhësh kriza politike, ekonomike apo shoqërore; kur nuk miraton dot reforma apo politika të rëndësishme që ke marrë përsipër; etj.

Me pak fjalë, në pushtet vihet duke siguruar mbështetjen e nevojshme të popullsisë të shprehur përmes votave të tyre, por iket kurdo që kjo është e nevojshme moralisht, politikisht apo nga ana shoqërore, edhe pse mund të kesh mbështetjen e shumicës numerike në parlament.

Dorëheqja e qeverive të zgjedhura demokratikisht për shkak të trysnisë politike apo shoqërore nga individë, grupe apo shtresa të ndryshme të popullsisë është jo vetëm një gjë e zakonshme e demokracive perëndimore, por edhe një tipar i rëndësishëm që garanton thelbin demokratik të pushtetit. Të mos japësh dorëheqjen, në rrethanat që e kërkojnë këtë gjë, është sjellje antidemokratike dhe e papranueshme në botën perëndimore.

Vetëm vitin e fundit, kryeministri Mateo Renzi lëshoi pushtetin në Itali duke patur shumicën në parlament, vetëm sepse nuk fitoi një referendum që e thirri vetë pa e pasur as premtim elektoral. Kryeministri David Cameron, gjithashtu, dha  dorëheqjen dhe, bashkë me të, i dha fund karrierës së tij politike pas humbjes së referendumit të Brexit, referendum i thirrur nga ai vetë, pa qenë premtim elektoral. Në asnjë nga këto raste dorëheqja nuk ishte detyrim ligjor apo formal, por ishte zgjedhja e duhur politike dhe morale, dhe nëse nuk do ishte bërë do ishte në dëm të qëndrueshmërisë politike të vendit përkatës.

Ndërsa po shkruheshin këto rrjeshta, lajm kryesor në botë është dorëheqja e një ministri japonez për arsyen se, duke ju referuar para disa ditësh kostos së lartë të dëmeve materiale të një tërmeti, ai u shpreh se është mirë që tërmeti ra në Tolkuko e jo në Tokio ku dëmet do ishin të përmasave të paimagjinueshme.

Po sot një nga drejtuesit e opozitës malteze i ka kërkuar kryeministrit të Maltës të japë dorëheqjen për hir të imazhit të vendit, pasi u zbulua se një kompani private në pronësi të tij ka marrë para për shërbim konsulence nga vajza e presidentit të korruptuar autokrat të Azerbajxhanit.

Edhe në Pakistanin e largët dhe jo shumë demokratik, këto ditë po kërkohet dorëheqja mbi baza morale e kryeministrit, pasi ai akuzohet se ka gënjyer popullin pakistanez për disa kompani biznesi që janë përmendur në letrat e Skandalit të Panamasë.

Për t’u kthyer tek Shqipëria dhe situata e tanishme. Çdo “argument” se Edi Rama nuk duhet të japë dorëheqjen, pavarësisht krizës politike që ka pushtuar vendin, është anti-demokratik sipas standardeve perëndimore.

Vetëm skandali i Elvis Roshit—përbetimi e mbrojtja publike që Kryeministri Rama i bëri atij, duke patur çdo arsye dhe mundësi të dinte të vërtetën mbi të (të cilën me gjasa e dinte)—do të mjaftonte në çdo vend perëndimor që jo vetëm ta detyronte kryeministrin të jepte dorëheqjen, por t’i jepte fund karrierës së tij politike.

Ndërsa skandali i rekrutimit të qëllimshëm si deputetë apo në poste kyçe shtetërore i personave “të fortë” apo me lidhje kriminale, do të mjaftonte të zhdukte nga skena politike çdo parti politike në demokracitë perëndimore.

Lejimi i kanabizimit masiv të vendit; paaftësia për të kontrolluar kufijtë, siç po mësohet nga fakti që policët dhe doganierët kufitare4 kanë vepruar si organizata kriminale; përfshirja në investime jotransparente në shkelje të konventave ndërkombëtare, kushtetutës dhe ligjeve; konfliktet e panumërta të interesit me familjarë dhe miq që kanë përfituar direkt nga vendim-marrja e Kryeministrit do të kishin rrëzuar çdo qeveri perëndimore dhe do kishin nxitur fillimin e dhjetra hetimeve kriminale.

Pohimi se kryeministri Rama nuk duhet të japë dorëheqjen se kështu e kërkojnë parimet demokratike mund të përputhet me standardet e “demokracisë” komuniste apo autokratike-afrikane, por jo të demokracisë perëndimore.

E kundërta është e vërtetë: qëndrimi i Edi Ramës në pushtet është anti-demokratik dhe i dëmshëm për demokracinë shqiptare. Shtirja sikur nuk dimë, sikur nuk kuptojmë, sikur nuk jemi nuk e çbën dot atë që ne jemi dhe atë që ndodh në të vërtetë. Dhe ajo që ne jemi është një vend me qeverisje thelbësisht autokratike, të korruptuar dhe me gjasa të kriminalizuar.

Prandaj fare mirë mund të biem dakord se pavarësisht këtij realiteti, qeveria dhe Edi Rama mund të qëndrojë në pushtet, por këtë nuk mund të justifikojmë kurrsesi në emër të demokracisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>