Dita Botërore e SIDA–s në Tiranë

Nga Alice Elizabeth Taylor
Dita Botërore e SIDA–s në Tiranë

1 dhjetori ishte Dita Botërore e SIDA-s, ditë që nuk kaloi pa u vënë re në Tiranë. Disa OJQ lokale vendosën stendat në tregun e përvitshëm të Krishtlindjes në Sheshin Skënderbej, ku shpërndanë broshura, kondoma dhe fletëpalosje me informacion, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin për një çështje që meriton meë shumë vëmendje.

Dita Botërore e SIDA-s u shënua për herë të parë më  1 dhjetor të vitit 1998. Tashmë 30 vjet më pas, kjo ditë është kthyer në një mundësi për njerëzit në mbarë botën për t’u bërë bashkë në luftën kundër HIV (Virusi i Deficitit Imunitar tek Njeriu), për të shprehur mbështetje ndaj bartësve të virusit, si dhe për të përkujtuar ata që nuk jetojnë më.

HIV përhapet përmes disa lëngjeve të trupit dhe është një infeksion që sulmon sistemin imunitar. Me kalimin e kohës HIV mund të dëmtojë aq shumë Qeliza-T (qeliza të sistemit imunitar), saqë turpi të mos jetë më në gjendje të rezistojë ndaj infeksioneve dhe sëmundjeve. Nëse nuk trajtohet, HIV mund të shkaktojë sindromin e përftuar të defiçitit imunitar, njohur me shkurtimin SIDA/AIDS. As për HIV-in dhe as për SIDA-n nuk ka një kurë, por për sa kohë zbulohet herët dhe mbahet siç duhet nën kontroll, individi i prekur mund të jetojë normalisht dhe në mënyrë të shëndetshme. Personat që trajtimin e marrin në kohën e duhur mund të jetojnë pa pasur fare simptoma apo efekte anësore, po aq gjatë sa njerëzit që nuk janë prekur fare.

Sot llogariten mbi 37 milionë persona në botë që jetojnë të prekur nga HIV, ndërkohë që 35 milionë të tjerë kanë humbur jetën nga HIV/SIDA – shifra që tregojnë se këto janë ndër pandemikët më shkatërrues që kanë pllakosur ndonjëherë botën. Përparimi i shkencës në ditët tona ka bërë të mundur që HIV të mos jetë aq vdekjeprurës sikurse ka qenë. Këto ndryshime në shkencë janë shoqëruar edhe me ndryshime në legjislacion që mbron të prekurit nga këto viruse.

Të dhënat nga USAIDS, që është programi i OKB-së për HIV/SIDA, tregojnë se në vitin 2017, në Shqipëri kishte 1400 gra, burra dhe fëmijë të prekur nga HIV/SIDA. Po këto të dhëna na thonë se rreth një e treta e personave të infektuar nuk e dinë se janë të infektuar, ose nuk marrin trajtim në asnjë lloj forme. Paçka se shumëkush mendon se prekja nga këto sëmundje vjen vetëm prej përdorimit të drogave apo prej homoseksualitetit tek burrat, e vërteta është se çdo person seksualisht aktiv që nuk përdor kondoma është i rrezikuar.

Problemi në Shqipëri është se stigma që i ndjek këto sëmundje, si dhe mungesa e analizave të përgjithshme për sëmundjet seksualisht të transmetueshme, bashkë me një farë turpi që ende rrethon aktivitetin seksual, bën që shumë njerëz të mos kërkojnë ndihmën që u nevojitet. Kontrolli i rregullt i shëndetit seksual duhet të jetë standard për çdo person me aktivitet seksual, por fatkeqësisht shumë njerëz kanë turp të shkojnë tek mjeku, ndërsa shumë të tjerë nuk e kanë mundësinë. Më keq akoma shkon puna për personat homoseksualë.

Personat LGBTIQ janë ndër komunitetet më të mënjanuara në Shqipëri. Ata që dalin hapur me homoseksualizmin e tyre përballen me mbylljen e dyerve nga familja, punëdhënësit, apo grupet shoqërore, ndërsa shumë të tjerë jetojnë në frikë dhe turp, duke e mbajtuar të fshehtë identitetin e tyre të vërtetë. Madje në Tiranë ka edhe vende ku personat LGBTIQ, që kanë pësuar abuzim apo/dhe dhunë për shkak të seksualitetit të tyre, mund të gjejnë strehim, mbrojtje, kujdes shëndetësor dhe ndihmë të kësaj natyre. Pjesëmarrësit shqiptarë në Marshimin e përvitshëm të Krenarisë mbulojnë fytyrën me syze e kapuçë për të fshehur identitetin e tyre.

Rreziku për t’u prekur nga HIV/SIDA është edhe më i lartë në një vend si Shqipëria, ku këta persona janë shtyrë të jetojnë në kufijtë e shoqërisë dhe janë detyruar të fshehin preferencat e tyre seksuale. Duke mos pasur mundësitë apo njohuritë për mbrojtjen seksuale, si edhe prej numrit të ulët të qendrave që ofrojnë analiza, këta persona janë në rrezik për t’u prekur nga sëmundja dhe për ta përhapur atë tek anëtarë të tjerë të komunitetit, apo tek persona të tjerë të martuar apo “heteroseksualë” me jetë të dyfishta.

Një OJQ, që në Shqipëri po punon fort për t’u ardhur në ndihmë këtyre personave është “Alga”, e cila u hap para pak kohësh në Tiranë, Korçë, Durrës, Elbasan dhe Vlorë. Ajo do të sjellë qendra të lëvizshme për analiza. Ato do të jenë anonime dhe të fshehta. Çdo person do të ketë një numër unik të koduar, pa pasur nevojën të japë emrin. Analizat, rezultatet dhe ndihma në vazhdim do t’i jepen cilitdo që i kërkon. Personat që shkojnë në këto qendra mund të marrin edhe kondoma dhe lubrifikantë falas, si dhe informacion më të zgjeruar për rreziqet e sëmundjeve si klamidia, sifilizi, apo hepatiti.

HIV dhe SIDA nuk shfaqen vetëm në televizor, as nuk është e domosdoshme të përdorësh drogë me shiringa, apo të jesh person LGBTIQ për të qenë në rrezik prej tyre. Nëse dikush kryen seks të pambrojtur me dikë, mbetet rreziku që sëmundja të transmetohet. Ajo çfarë ne duhet të bëjmë është të rrisim ndërgjegjësimin për këtë fakt, si dhe t’u themi njerëzve se të bësh analizat nuk është turp, por është përgjegjshmëri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>