Teksa naftëtaret kanë hyrë në ditën e 19-të të grevës së urisë, gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar.
Pavarësisht kësaj, ato shprehen të vendosura për të mos dalë nga greva pa marrë nga qeveria garancinë për plotësimin e kërkesave të tyre: marrjen e rrogave të prapambetura dhe rifillimin e punës në rafineri.
“Jemi gra të lodhura nga hallet dhe puna ndër vite dhe sot jemi në rrugë, duam 13 pagat e fituara me drejtësi,” u shpreh njëra prej tyre.
Pavarësisht rekomandimeve të mjekëve për të ndalur grevën, naftëtaret thonë se do të dalin nga greva vetëm kur të jenë plotësuar kërkesat e tyre.
Deri më tani, kryeministri Rama i ka kërkuar disa herë naftëtarëve që të ndalin grevën, si e vetmja mënyrë për të nisur bisedimet me qeverinë.
Por naftëtarët kanë refuzuar lënien e grevës. Ato kërkojnë nisjen e bisedimeve me qeverinë ndërkohë që greva vazhdon.
Ato kanë përsëritur shpeshherë se presin nga kryeministri zgjidhje konkrete, jo statuse në rrjetet sociale.