
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha përshëndeti, me rastin e Ditës së Rinisë, të rinjtë vullnetarë në zonat e prekura nga tërmeti.
Në një postim në rrjetet sociale Basha shkruan se qindra të rinj i kanë ndenjur pranë në këto ditë të vështira qindra familjeve të harruara nga shteti:
“Këtë 8 dhjetor shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë të rinjtë që në këto ditë sprovash dhe dhimbjesh u shndërruan në shpresë dhe forcë për çdo shqiptar.
Edhe dita e sotme i gjeti të rinjtë duke ndihmuar qindra familje të dëmtuara nga tërmeti në zonën e Kurbinit.
Dhimbja e këtyre banorëve të cilët shteti i ka harruar dhe braktisur, është zbutur nga të rinjtë që u vijnë në ndihmë duke vendosur gjithcka në dispozicion të të dëmtuarve. Kjo tragjedi zhveshi nga propaganda gjendjen e vërtetë të vendit, të Shqipërisë së varfër, të vjedhur dhe abuzuar.”
Basha tha se gatishëmria e këtyre të rinjve për të ndihmuar banorët “ndez dritën e shpresës dhe solidaritetin kombëtar në këto ditë të errëta për vendin.”