Teza kryesore e propagandës së Kryeministrit Rama është: nuk po proteston populli, por opozita që ka frikë të hyjë në zgjedhje e nuk pranon dot humbjen. Këtë tezë ai e shtjelloi qartë në intervistën në Rai 1 me Bruno Vespën, para pak ditësh:
“Nuk është një protestë e popullit, por e Pallatit të Politikës. Është e pazakontë sepse ngrihet nga 20 veta.
Kjo ngjarje ndodh në një perimetër të ngushtë prej një kilometri, përtej këtij perimetri jeta vazhdon për të gjithë.
Protestat e këtyre ditëve nuk janë reagim i njerëzve, por sulme të lidhura me një grup pushtetarësh të dëbuar prej më shumë se pesë vjet më parë.”
Për të “vertetuar” këtë tezë Kryeministri Rama duket se po shfrytëzon edhe festimet e Ditës së Verës. Ai i zhvendosi qëllimisht festimet e organizuara nga qeveria për Ditën e Verës një ditë pas protestës së opozitës më 16 mars, për të dhënë pas protestes një shfaqej ku “interpretojnë” qytetarët të gëzuar duke festuar në shoqërinë e qeveritarëve, pa asnjë ndikim nga protesta që organizojnë partitë që duan të marrin pushtetin.
Për këtë qëllim ai nxorri në skenë kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili njoftoi se festimet për Ditën e Verës, 14 mars, do të shtyheshin për ditën e dielë, më 17 mars, për shkak të parashikimeve për motin e keq. Madje për ta shitur si të pafajshëm dhe të arsyeshëm këtë vendim, Kryebashkiaku ftoi qytetarët të jepnin mendimin e tyre përmes votimit në një sondazh të postuar në llogaritë e tij në Facebook, Tëitter dhe Instagram.
Njëkohësisht, Kryeministri ka urdhëruar të gjithë ministrat të organizojnë së bashku me personelin e institucioneve të tyre aktivitete të shumëllojshme për festimet e planifikuara për të dielën. E gjithë administrata është urdhëruar gjithashtu që të jetë e pranishme së bashku me familjarët në Sheshin Skënderbej ditën e dielë.
Muzika, hareja, argëtimi, ngjyrat do të pushtojnë sheshin. Rrugët. Parkun e Liqenit. Gjithë ditën. Edhe në mbrëmje. Paguar me zemërgjerësi nga qevria dhe bashkia me taksat e qytetarëve dhe nga klientët e tyre që nuk kursehen kurrë për të sponsorizuar qeverinë.
Natyrisht, festimet dhe populli i lumtur dhe i patrazuar nga asgjë do të propagandohen në mënyrë të ethshme me çdo mjet, si prova se në Shqipëri nuk ka krizë dhe populli është i qetë, i parevoltuar, në mbështetje të qeverisë. Mediat, rrjetet shoqërore, dhe të gjitha kanalet e tjera të komunikimit do të mbingarkohen me imazhe dhe prova të gëzimit popullor.
Qeveria është kujdesur që të ftojë edhe diplomatë të huaj në festime, që ata ta shohin me sytë e tyre se populli është i lumtur dhe nuk i shkon pas opozitës. Faqet e tyre në Facebook, Twitter apo Instagram do kthehen në dëshmitarë të pafajshëm të “normalitetit” që sundon në Shqipëri.
Nga Alba Mborja