Zjarret masive në zonat bregdetare të ditëve të fundit dyshohen se janë të qëllimshme nga grupe që duan të shfrytëzojnë tokën e liruar nga gjelbërimi për ndërtime. Por, këto grupe duket se nuk janë të informara se ligji e ndalon që pyjet e djegura të hiqen nga fonid pyjor, pavartësisht zhveshjes nga gjelbërimi.
Ligji i Pyjeve i miratuar vetëm pak muaj më parë nga Kuvendi, në prill 2020, (në nenin 5/7) ndalon qartësisht ndryshimin e destinacionit “të sipërfaqeve të djegura në fondin pyjor”.
Ndërkohë që ligji (në nenin 3/18) përcakton se “fond pyjor kombëtar” është “sipërfaqja e mbuluar me pyje, shkurre, toka me bimësi pyjore, përfshirë edhe sipërfaqet e zhveshura (çeltirat, shkëmbinjtë, dunat dhe ranishtat), sistemet agropyjore, brezat mbrojtës, infrastrukturën përkatëse, si dhe pasuritë jopyjore bashkëshoqëruese, të cilat krijojnë një mjedis unik me pyjet e tokën pyjore”.
Kjo do të thtoë se pavarësisht djegies që po u bëhet, ligji ndalon që ato të kthehen në tokë ndërtimi.
Të paktën në mënyrë të rregullt, edhe pse korrupsioni apo moszbatimi i ligjit ka bërë që një pjesë e mirë e bregdetit shqiptar dhe zonave të tjera pyjore të zhvillohen në mënyrë kaotike me ndërtime pa leje ose jashtë standardeve.
Javët e fundit zjarri ka mbuluar zonën e njohur si Rana e Hedhur në Lezhë, zonën e Godullit në Seman të Fierit, në zonën e kënetës së Domnit në Shkodër, etj. Sipas të dhënave nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, nga 329 vatra zjarri që janë konstatuar që nga janari, 168 janë shënuar vetëm gjatë muajit korrik, duke djegur qindra hektarë dhe duke shkrumbuar mijëra rrënjë ullinj dhe pemëtari.
Institucionet shtetërore besojnë se thuajse të gjitha këto zjarre janë të qëllimshme për shfrytëzimin e tokës për ndërtim. Drejtuesi i Emergjencave Civile, Hako Çako tha se në zonat ku kanë rënë zjarre fshihen interesa personale të bizneseve, për t’i kthyer këto toka në resorte turistike.
Në një intervistë në Report TV, Çako i bëri thirrje policisë të hetojë këto zjarrvënie duke për të identifikuar personat apo subjekte që kanë qëllim të bëjnë resorte në këto zona.
Zëvendës Kryeministri Erion Brace, gjithashtu pohoi se zjarret janë të qëllimshme me qëllim ndërtimin e pallateve në tokat e djegura.
“Zjarri në Godull-Seman duhet te hetohet si krim i rëndë pas dyshimeve se duan territor të lirë për ta golemizuar. Do perndiqen tani ligjerisht pergjegjesit dhe kurre sdo pranohet cilido projekt pallatesh mbi pyllin e djegur”, shkroi ai në një postim në Facebook.