Dokumentari investigues i Elementit të Pestë që tregon për rrezikun e shkatërrimit të Parkut të Divjakë-Karavastasë nga ndërtimi i resortit turistik të kompanisë MabetexGroup, do të shfaqet për publikun nesër, më 15 dhjetor, në orën 17:00, pranë Kinema Agimit.
Dokumentari “Super resorti që rrezikon Parkun Kombëtar” u transmetua për herë të parë më 7 dhjetor, në faqen zyrtare të Elementit të Pestë, një nismë e një grupi gazetarësh e aktivstës, drejtuar nga regjizori i pavarur Artan Rama.
Prezantimi dhe shfaqja e dokumetarit mbështetet nga Leviz Albania dhe Agjensia Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim, në kuadër të fushatës “Stop Urbanizimit të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta” dhe hyrja do të jetë e lirë për të gjithë qytetarët.
Dokumentari mbi shkatërrimin e Parkut Kombëtar të Divjakë-Karavastasë është i pari i nismës Elementi i pestë.
Elementi i Pestë do të prodhojë në vazhdimësi dokumentarë hulumtues, me premisën dhe pyetjen kryesore: si mund ta përmirësojmë mënyrën se si po zhvillohet Shqipëria?
Më shumë për ndërtimin e resortit brenda Parkut Kombëtar
Në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë, kompania Mabetex Group synon të ndërtojë resortin “Divjakë Albania” me rreth 370 vila dhe 2350 apartamente.
Projekti i shumëkundërshtuar nga organizatat ndërkombëtare mjedisore, nëse ndërtohet do të dëmtojë në mënyrë të patjetërsueshme 1170 hektarë tokë të një prej parqeve të pakta të mbetur në Shqipëri.
Ndërtimi i resortit shkel ligjin për zonat e mbrojtura.
Përveç shkeljeve ligjore, ky ndërtim do të shkatërronte vlerat natyrore dhe larminë biologjike të zonës. Ai do të zhdukte dhe do të ulte ndjeshëm numrin e shpendëve folezues apo dimërues në këtë ekosistem.
Më shumë për Elementi i Pestë
Ekipi i Elementit të pestë përbehet nga gazetari dhe regjizori i pavarur Artan Rama, studiuesja e shkencave politike Evi Veliu, biologia dhe aktivistja Mikaela Mahilaj dhe Alban Sipri ekspert i teknologjisë multimediale.
Nisma e Ramës, Veliut, Mahilajt dhe Siprit është një përpjekje për të raportuar mbi rreziqet që u kanosen burimeve natyrore, pasurisë tonë të përbashkët dhe të përhershme.
Një pjesë e ekipit të Elementit të pestë kanë ideuar dhe prodhuar më parë emisionin investigative Publicus.
Emisioni investigativ ‘Publicus’ transmetohej në Vizion Plus TV përpara se të mbyllej në mënyrë të papritur në tetor 2016, në prag të publikimit të një materiali mbi vdekjen tragjike të 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës.