Domethënia e rrëmbim-ekzekutimit më të fundit – Koment

Domethënia e rrëmbim-ekzekutimit më të fundit – Koment

Një 40 vjeçar i dyshuar për aktivitete kriminale u rrëmbye nga katër persona të veshur me uniforma policie, të mërkurën në qytetin e Durrësit. Të enjten ai u gjet i ekzekutuar në një fshat të Fushë-Krujës.

Edhe pse ekzekutimet mafioze dhe vrasjet janë dukuri të rëndomta në vend ka një sërë arsyesh që e bëjnë këtë krim të veçantë.

Së pari, personi i ekzekutuar ishte nën hetim dhe mbikqyrjen e policisë, fakt që me shumë gjasa dihej nga rrëmbyesit. Edhe në këto kushte ata zgjodhën që të organizonin rrëmbimin dhe pastaj të udhëtonin me të rrëmbyerin për dhjetra kilometra të paktën deri në vendin ku u gjet viktima e ekzekutuar. Kjo do të thotë që ata ose kanë patur besim në sofistikimin e tyre ose kanë patur ndihmë apo informacion në lidhje me policinë.

Së dyti, metoda e rrëmbimit dhe më pas e vrasjes është një metodë e re e ekzekutimi në vend. Autorët nuk zgjodhën ta ekzekutojnë viktimën në rrugë ose në vende publike të favorshme apo duke përdorur eksploziv, sikurse në pothuajse të gjitha atentatet deri më sot, por zgjodhën një mënyrë më të ndërlikuar por edhe me më shumë rrezik.

Së treti, pjesëmarrja e katër personave në rrëmbim dhe, me gjasa, edhe e disa të tjerëve në këtë vepër kriminale dëshmon se kemi të bëjmë me një grup të organizuar kriminal dhe jo thjesht individë kriminalë dhe për aktivitet me interesa të mëdha kriminale.

Së katërti, fakti që viktima e fundit ka lidhje me dy të rinjtë e ekzekutuar pak ditë më parë po në Durrës i jep një përmasë tjetër krimit. Fakti që të paktën katër persona vendosin të ekzekutojnë tre të tjerë, në një seri atentatesh mafioze, me shumë gjasa është dëshmi e një operacioni sistematik për eleminim rivalësh apo kundërshtarësh për interesa të mëdha kriminale. Nëse kjo gjë është e vërtetë, atëhere grupi kriminal që ka kryer ekzekutimet duket të jetë një grup brutal që i zgjidh mosmarrëveshjet apo rivalitetet me anë të eleminimit mafioz të kundërshtarëve. Ky është një nivel i ri i krimit të organizuar në Shqipëri.

Në mënyrë më të përgjithshme, duket se grupet e organizuara kriminale në vend po arrijnë një nivel të ri sofistikimi dhe egërsie. Situata duket edhe më problematike në kushtet kur deri më sot policia shqiptare ka qenë e paaftë të zbulojë dhe eleminojë grupe e aktivitete kriminale apo të parandalojë krime. I gjithë aktiviteti policor përmblidhet në hetime për gjetjen e autorëve të krimeve të ndodhura.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>