Dominoja e fundit

Nga Marlin Muça
Dominoja e fundit

Vendi ynë është lënë gjithnjë në marzhinat e skemave të mëdha që kanë ndryshuar peizazhin politik të kohës. Si të mos mjaftonte ky izolim dëshpërues, shteti shqiptar përmendet pak ose aspak në veprat që trajtojnë gjeopolitkën duke reflektuar rëndësinë e papërfillshme të vendit tonë në lojën e përgjithshme të fuqive të mëdha. Injorimi kronik që na është bërë shekujt e fundit ka rezultuar në zhvillimin me vonesë të shumë proceseve me rëndësi për pozitën tonë në rajon e më gjerë. Rilindja europiane e shekullit të 15 dhe 16 erdhi te ne 3 shekuj më vonë, në kohën kur individin si qendër e artit dhe shkencës, e kishte zëvëndësuar projekti ambicioz për formësimin e shtet-kombeve. Nuk është rastësi rëndësia e ulët e individit në kulturën shqiptare. Mungesa e përjetimit të nje epoke ku njeriut i atribuoheshin cilësitë më të vyera të gjithësisë, na shndërroi në një popull i cili e gjen paqen e tij të kolektivi.

90 vite më vonë dështimi ekonomik i Bllokut Lindor solli shpërbërjen politike të këtij të fundit. Teksa në Bashkimin Sovjetik apo Jugosllavi degjenerimi ekonomik, luftërat ndër etnike linden shtet-kombe të reja, në republikat e pavarura socialiste ndryshimi erdhi përbrenda duke kthyer sërish pronën private dhe ekonominë e tregut. Hungaria, Bullgaria, Rumania, Çekosllovakia, Polonia etj, ishin vendet që i shkëputën menjëherë fijet me regjimin e vjetër. Shqipëria mbeti e fundit dhe ndoshta me ndryshimin më gjysmak nga të gjitha vendet e tjera të botës komuniste. Mungesa e disidencës, izolimi nga bota perëndimore dhe nga ajo lindore, e bëri të pamundur përgatitjen e elitave të reja që potencialisht, mund ta udhëhiqnin vendin drejt një të ardhme të re politike. Riciklimi i figurave të vjetra në pamundësi të alternativave të reja ishin ato që gjymtuan transformimin e Shqipërise komuniste në një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Rrëmujat e viteve 90 ishin larg së qënurit një revolucion, ato madje dështuan të na çonin drejt një evolucioni duke e bërë këtë të fundit një proces të mangët dhe pa elementet e duhura për të ecur përpara.

27 vitet e fundit kanë qenë një ripërtypje e mundimshme e copërave të rendit të vjetër shërbyer në një garniturë të re. Një garniturë e yndyrshme e jo e shëndetshme që na ka shërbyer më shumë të gënjejmë veten sesa të na ketë nxitur për të ecur përpara.

Sot vijmë në fundin e një cikli politik, natyra e të cilit do të vëndosë si gjithmonë ecurinë e tjetrit. Edhe kësaj rradhe, Shqipëria është e fundit në Europë që do të përjetojë ndryshime të tilla politike. I gjithë pellgu mesdhetar, nga Spanja e deri në Greqi ka pësuar ndryshime të mëdha sociale dhe politike duke e lënë Europën të pasigurt për fatin e saj si kontinenti i bashkuar mbi ca vlera të përbashkëta kulturore. Ndërkohë që një Europë e re po përvijohet në horizontin gjeo-politik të kohës, klasa politike shqiptare ka filluar të kuptojë nevojën imediate për ndryshim. Kjo nevojë e mbarsur dhe me angazhimin ndërkombëtar krijoi emergjencën e kalimit të një reforme në drejtesi si parakusht i projektimit të një klase të re politike. Paralelizmi me vitet 90 ngelet i qartë:

 – Ose do ecim përpara duke ruajtur segmente kyçe të sistemit të vjetër ( njësoj si vitet 90);

 – Ose do të kemi një klase të re politike, pa lidhje të drejtpërdrejta me klasën e vjetër.

Sigurisht që zgjedhja e së dytës i lë hapësirë destabilizimit politik jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë, ndaj dhe ajo çka ka më shumë gjasa të ndodhë është ajo e para. Historia ka një mënyrë të çuditshme në riciklimin e skemave të së shkuarës që iu fshihen shoqërisë përmes trumbetave zhurmëmëdha të  revolucionit. Ajo çfarë dihet është se dominoja e fundit ka fatin e mirë apo të keq ( kjo i përket kohës) të mos parashikojë plotësisht atë çfarë vjen pas rënies. E sigurtë është vetëm rënia.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>