Donald Dervishi në shpëtim të një tjetër shkolle të rrënuar

Nga Alice Elizabeth Taylor
Donald Dervishi në shpëtim të një tjetër shkolle të rrënuar

Ky shkrim është publikuar më parë në blogun The Balkanista.

Disa muaj më parë, shkrova për historinë e një të riu shqiptar, mësues, që i kushtoi kohë dhe energji rindërtimit të plotë të një shkolle totalisht të rrënuar në Skrapar.

Po e përmbledh me disa fjali, për të gjithë ata që nuk e dinë historinë e Donald Dervishit.

Pas një vizite në shkollën e fshatit Vëndreshë Mal, në Skrapar, ku nxësësit e zhvillonin mësim të mbledhur pranë njëri-tjetrit e të strukur nën çadra, pasi nga çatia e vjetër e shkollës deportonte brenda i gjithë shiu e bora, Donaldi dhe miku i tij Borsioni vendosën të bëjnë diçka për të përmirësuar kushtet tepër të këqija.

Duke kërkuar dëshpërimisht, për një burim fondesh, Donaldi dhe Borsioni morën pjesë në emisionin televiziv “100 milionë”, ku arritën të fitonin 250 mijë lekë, por kjo shumë nuk ishte e mjaftueshme për të filluar punimet. Të vendosur për të arritur qëllimin e tyre, ata filluan mbledhjen e fondeve me anë të një faqeje dhurimesh në internet. Ata mblodhën rreth 10 milionë lekë dhe materiale të ndryshme të nevojshme për ndërtim, të dhuruar me shumë dashamirësi nga njerëz dhe kompani, brenda dhe jashtë vendit.

Projekti ishte një sukses i vërtetë dhe pak muaj më parë, shkolla e re hapi dyert dhe mësimi tashmë zhvillohet në një ambient të ri, të ngrohtë dhe të përshtatshëm. Në vend që të luftojnë me erën, shiun e dëborën, nxënësit tashmë mësojnë në një shkollë të ngrohtë, me tavolina e karrige të reja, me sobë druri bashkë me ventilimin e duhur, me një tualet brenda shkollës dhe me gjithë pajisjet e tjera të nevojshme për një mësim normal.

Por Donaldi nuk është i kënaqur dhe tashmë ka nisur një projekt të ri: rindërtimin e plotë të shkollës së Therepelit, sërish në Skrapar.

Shkolla e Therepelit, e njohur si shkolla “20 gushti”, është shkolla që ka ndjekur dhe vetë Donaldi.

Në këtë shkollë, duke filluar nga kopshti i fëmijëve deri në klasën e 9-të, mbi 40 nxënës ndjekin mësimet në katër klasa me katër mësues. Para shumë vitesh, nxënës i kësaj shkolle, Donaldi u rikthye si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe, dhe më vonë u bë drejtor përpara se të largohej dhe t’i për t’u kushtuar kohë të plotë nismës së tij “Lëvizja për Dijen” dhe projekteve për rindërtimin e shkollave.

Shkolla e Therepelit ka nevojë për rindërtim të plotë, shtimin e një biblioteke, një laboratori bazik shkencor dhe palestër. Po ashtu, duhet bërë punime në klasa dhe tualete.

Donaldi është përkushtuar tashmë me kohë të plotë në këtë projekt dhe do të vazhdojë të mbledhë fonde përmes rrjeteve sociale, shfaqjeve televizive dhe gjetjes së dhuruesve të ndryshëm.

Donaldi, së bashku me partnerin e tij në projektin e mëparshëm Borsion Spahiun dhe shumë të tjerë që ndajnë vizionin e tij për përmirësimin e kushteve të arsimit në këtë vend ballkanik, do të punojnë së bashku për të siguruar realizimin e këtij projekti ashtu siç bënë për shkollën e Vëndreshë Malit.

Donaldi është një shembull i shkëlqyer i asaj që do të thotë të jesh një qytetar i mirë dhe puna që ai po mban në shpatullat e tij duhet të jetë një shembull për këdo. Nëse mbështesni këtë projekt dhe ndihmoni sa do pak, nuk po mbështesni Donaldin, por fëmijët e Shqipërisë. Ky projekt është duke u dhënë atyre një mundësi për të pasur arsimim të mire, shanse më të mira në jetë, dhe një mundësi për të pasur sukses.

Për të ndihmuar apo dhuruar diçka për këtë nismë mund të klikoni këtu.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>