Ndërsa dështimi i reformës në drejtësi po bëhet për ditë e më i dukshëm, deklarimet (e shpeshta) publike të ambasadorit amerikan Donald Lu po bëhen përditë e më bajate.
Në nëntor të vitit të shkuar, Zoti Lu u “premtoi” shqiptarëve se në janar të këtij viti ai priste arrestimin e “peshqve të mëdhenj” të politikës.
Deklaratën e bëri gjatë një ceremonie bombastike propagandistike për rendin publik, si ato që organizon rëndom prej katër vjetësh Kryeministri Rama dhe ku nuk mungon asnjëherë Ambasadori Lu me mbështetjen, këshillat dhe udhëzimet e tij. Në ceremoni u prezantua struktura dhe operacioni i ashtuquajtur Forca e Ligjit, i cili do të zhdukte krimin nga Shqipëria.
Ambasadori i dha “bekimin” kësaj strukture dhe, për t’i bindur shqiptarët se duhet ta besojnë qeverinë, ai i njoftoi ata se pranë Ministrisë së Brendëshme ishin vendosur dy agjentë të FBI-së për ta ndihmuar qeverinë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit—pra, tani shqiptarët duhet ta besonin Fatmir Xhafën dhe Edi Ramën se me ta ishte edhe FBI.
Pas disa operacionesh qesharake që kapën vetëm disa fshatarë me pak gram hashash, Forca e Ligjit është harruar dhe për të nuk flet më askush. Tani, gjithashtu, dihet se dy agjentët e FBI-së ishin më shumë ndihmë propagandistike e ambasadorit Lu për qeverinë se sa ndihmë e vërtetë kundër krimit. Madje Lu keqinformoi publikisht shqiptarët me agjentët e FBI-së, pasi të paktën njëri nga ata që ai e shiti si agjent të vendosur pranë Ministrisë së Brendëshme, Zoti Jack Liao, është në fakt atasheu ligjor në zyrën e FBI-së në ambasadën amerikane në Sofie të Bullgarisë, nga ku ai koordinon marrëdhëniet e FBI-së me Bullgarinë, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kosovën.
Gjithsesi, janari po ikën ngadalë dhe Donald Lu nuk ka asnjë “peshk të madh” për t’u treguar shqiptarëve. Ndoshta prandaj, dje, ai është shprehur se i lutet për ditë qeverisë të kapë “peshqit e mëdhenj”. Në një intervistë për gazetën Dita, Lu pohoi:
Ku janë peshqit e mëdhenj të premtuar? Këtë pyetje i bëj çdo zyrtari të qeverisë që takoj. Shqiptarët kanë parë njëfarë përparimi, por jo rezultatet e mëdha që presin.
Pohimi duket i çuditshëm sepse “peshqit e mëdhenj” supozohet se duhet të jenë pikërisht drejtuesit e qeverisë dhe është e pakuptueshme se pse Ambasadori Lu mendon se qeveria do të arrestojë vetveten.
Deklarata e ambasadorit është fatkeqe sepse ai i drejtohet qeverisë të bëjë drejtësi, kur reforma në drejtësi kishte për qëllim shkëputjen dhe pavarësinë e drejtësisë nga qeveria. Pyetjen për peshqit e mëdhenj Ambasadori Lu duhet t’ia drejtojjë prokurorisë së posaçme SPAK dhe Byrosë së Hetimit, të cilat u krijuan nga reforma në drejtësi dhe u sanksionuan në Kushtetutë pikërisht për të hetuar dhe arrestuar “peshqit e mëdhenj”.
Por, në shkelje të hapur të Kushtetutës, SPAK dhe Byroja e Hetimit nuk janë krijuar akoma, pothuajse dy vjet pas miratimit të reformës në drejtësi, për shkak se krijimi i tyre është zvarritur dhe vonuar nga shumica socialiste. Çuditërisht ambasadori duket krejtësisht i pa shqetësuar për këtë situatë dhe e mbush boshllëkun me batuta si ato që ka lëshuar për Ditën.
E pakuptueshme është, gjithashtu, pse ambasadori Lu nuk i drejtohet as Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme për “peshqit e mëdhenj”. Në fund të fundit, ambasadori duhet të ketë besim të madh tek Prokurorja pasi për emërimin e saj në atë post ai u bë palë me Kryeministrin Rama në shkeljen e Kushtetutes (në fakt, Ambasadori Lu ka dëshmuar shpesh se më shumë se tek ligji dhe demokracia, beson tek parimi “qëllimi justifikon mjetin”).
Intervista e Ambasadorit përshkohet nga heshtja edhe për çështje të tjera të rëndësishme në lidhje me reformën në drejtësi. Zoti Lu nuk ka shprehur asnjë shqetësim për faktin se shumica socialiste hodhi poshtë para pak ditësh vlerësimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM)—në bordin e të cilit ambasadori është vetëzgjedhur— në lidhje me kandidaturat e shoqërisë civile për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
ONM supozohej se do të ishte garant i rëndësishëm në procesin e vetingut, por deri tani është përdorur vetëm për fasadë, por ambasadori duket i pashqetësuar për këtë gjë.
Akoma më zhgënjyes është që Ambasadori Lu nuk ka shfaqur shqetësim për përpjekjen e shumicës socialiste për të mbrojtur deputetët nga hetimi—amendimin e Rregullores së Kuvendit për të sanksionuar me ligj se prokuroria, përfshi SPAK, duhet të paraqesë prova të plota në Kuvend, dhe do të jetë ky i fundit që do të gjykojë nëse këto prova janë të mjaftueshme për të vendosur për kontrollin e pronave apo arrestimin e deputetëve.
Nëse ky ligj miratohet, siç pothuajse është e sigurt, praktikisht do të jetë Kuvendi që do të përcaktojë hetimin e deputetëve dhe ministrave dhe jo institucionet e drejtësisë të propaganduara aq shumë nga Ambasadori Lu.
Së fundmi, në intervistë Ambasadori Lu ka vazhduar qasjen e tij të zakonshme që për përgjegjësitë e qeverisë përdor terma të përgjithshëm, pa iu drejtuar asnjëherë direkt Kryeministrit apo drejtuesve të tjerë të qeverisë. Ambasadori flet për “shqiptarë të lodhur” nga mungesa e drejtësisë por shpërfill dhunimet që qeveria u bën pronave dhe të drejtave të tyre; flet për “peshqit e mëdhenj” por të papërcaktuar të politikës, flet për politikanë të papërcaktuar që kanë frikë nga drejtësia.
Në fakt edhe pse Shqipëria u mbulua me drogë duke u bërë furnizuesi kryesor i drogës në Evropë, edhe pse Kuvendi u mbush me kriminelë nga kryeministri Edi Rama, edhe pse korrupsioni i qeverisë është kthyer në epidemi, edhe pse sundimi i ligjit ka mbetur vetëm fjalë në letër, Ambasadori Lu ka zgjedhur të mos bëjë asnjëherë ndonjë kritikë direkte ndaj Kryeministrit dhe drejtuesve të tjerë të qeverisë.
Në më shumë se tre vjet në Shqipëri, të vetmit persona që Lu ka kritikuar me emër janë kryetari i opozitës Lulzim Basha dhe ish- kryeprokurori Adriatik Llalla. Por Zotit Lu fshihet pas përgjithësimeve metaforike kur bëhet fjalë për përgjegjësitë e Kryeministrit Rama, ish-ministrit Saimir Tahiri, ministrit Fatmir Xhafaj, kryeparlamentarit Gramoz Ruçi apo drejtuesve të tjerë socialistë. Përkundrazi, ai nuk ka munguar asnjëherë në krah të tyre, për të përshëndetur “arritjet” e imagjinuara të tyre.