Prokurorët Donika Prela dhe Anton Martini u emëruan sot në Prokurorinë e Tiranës nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Të dy ishin më parë prokurorë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila u shkri në fund të vitit 2019.
Donika Prela ka mbajtur për më shumë se një vit në detyrën e drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ajo u vendos në krye të Krimeve të Rënda, si një lëvizje e rëndësishme e reformës në drejtësi nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkoshme Arta Marku.
Në kohën kur ajo mori drejtimin e Krimeve të Rënda ishin nën hetim disa çështje të rëndësishme për lidhjet e politikanëve me krimin e organizuar, por gjatë kohës qe ajo drejtoi këto çështje u zvarritën, u minimizun dhe një pjesë u mbyllën.
Në korrik të vitit 2019, zonja Prela kandidoi për të qënë pjesë e SPAK, por KLP e skualifikoi atë nga kjo garë. Në tetor të 2019, Prela kërkoi të transferohej në Prokurorinë e Apelit ose në Prokurorinë e Përgjithshme.
Prela u konfirmua në detyrë nga shkalla e parë e vetingut, në një nga vendimet më të debatueshme të KPK-së. Sikurse doli gjatë hetimit të vetingut, Donika Prela ka kryer, me shumë gjasa, evazion fiskal, duke mos paguar taksa për të ardhurat, ka kryer transaksione të dyshimta financiare, me gjasa të paligjshme, duke marrë disa herë hua pa kontratë, me para në dorë dhe nga njerëz që nuk i justifikojnë paratë, ka blerë dy apartamente nën çmimin e tregut dhe i ka shitur me fitim, për të cilin nuk ka paguar asnjëherë taksa.
Anton Martini është prokurori që ngriti akuzat e rënda për tradhëti dhe nxjerrje të sekreteve shtetërore kundër Dritan Zaganit dhe që urdhëroi arrestimin e tij. Me anë të akuzave të sajuara të ngritura nga Martini, Dritan Zagani u mbajt për disa muaj i burgosur, por më në fund Gjykata e Krimeve të Rënda i hodhi poshtë akuzat e Martinit duke e reduktuar çështjen në shpërdorim detyre dhe duke ja kaluar hetimet Prokurorisë së Fierit.
Anton Martini u konfirmua nga shkalla e parë e vetingut dhe është kandidat për të qenë pjesë e Prokurorisë Speciale Anti Korrupsion, SPAK. Komisioneri Publik ankimoi para disa ditësh vendimin e konfirmimit të prokurorit Martini.