Dorëheqja e ministrit Lleshaj duket se nuk i ka qetësuar protestuesit për vrasjen e Klodian Rashës.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, qytetarët u mblodhën në orën 18:00 para godinës së ministrisë së Brendshme teksa kryeministri Rama nisi reagimin e tij publik për ngjarjen.
Para se ky i fundit të lajmëronte për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, protesta u tensionua dhe policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Lajmi për tërheqjen e Lleshajt mori duartrokitje, por nuk uli vrullin e protestuesve.
Ndryshe nga dje, policia sot ishte e vendosur për t’i shpërndarë ata duke përdorur edhe autobotet me pompa uji.
Një barrikadë e focave speciale dhe autoblindave e shtyu turmën nga ministria e Brendshme drejt kryeministrisë ku ishte pjesa tjetër e policëve.
Protestuesit u shpërndanë në zonën rreth kryeministrisë dhe presidencës ndërsa disa prej tyre u shoqëruan nga policët.
Protesta nuk ka përfunduar ndërsa situata mbetet ende e tensionuar dhe nuk kanë munguar as incidentet.