Dorëhiqet drejtoresha e ARRSH-së Sonila Qato

Dorëhiqet drejtoresha e ARRSH-së Sonila Qato

Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qato dha sot dorëheqjen.

Përmes një mesazhi në faqen e saj në Facebook, zonja Qato sqaroi se dorëheqja vjen pas akuzave të kompanisë Gjoka:

“[V]etëm pak ditë më parë jam akuzuar nga një kompani lidhur me një procedurë, të cilën unë e gjykoj plotësisht të drejtë dhe ligjore.

Kjo situatë më ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me detyrën. 

Nga njëra anë më duhet të përballem me akuzat dhe procesin ligjor që shfaqen në vorbullën e pafundme të çudirave mediatike dhe nga ana tjetër duhet të administroj punën e përditshme dhe projektet infrastrukturore (pjesë e kësaj pune është edhe kompania që akuzon).

Jam e keqardhur për gjithë këtë zhurmë dhe e lënduar nga spekulimet jashtëzakonisht të mëdha në media mbi procedurat e ndjekura në respektim të ligjit dhe dokumentacionin zyrtar që ka të bëjë me rastin në fjalë.

Por jam edhe në pamundësi normaliteti në një punë që s’ka as orar dhe as ditë pushimi, sepse kërkon angazhim ekstrem mendërisht e fizikisht.”

Sonila Qato u emërua nga kryeministri Rama në krye të ARRSH-së pas shkarkimit të Afrim Qendros pas skandalit me tenderin e Unazës së Madhe dhe kompanisë fantazëm DH Albania.

Pak ditë më parë, kompania Gjoka Konstruksion ka ngritur padi ndaj drejtoreshës së ARRSH-së Sonila Qato pasi pretendon se “ARRSH i ka bërë një skualifikim të padrejtë kompanisë, duke favorizuar konkurrenten tjetër në garën” për tunelin në rrugën Kardhiq-Delvinë.

Padia është bërë pak ditë pasi Ministria e Infrastrukturës vendosi të anulonte tenderin për ndërtimin e tunelit në rrugën Kardhiq-Delvinë, tender në të cilin Gjoka Konstruksion ishte shpallur fitues, por që nga ARRSH ishte skualifikuar dy herë.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>