Hykmete Bajrami ka njoftuar të mërkurën, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se është liruar nga pozita e ministres në detyrë të Financave të Kosovës.
“Më lejoni t’ju njoftoj se sot, me 24 shkurt 2021, me kërkesën time, jam liruar nga pozita e Ministres së Financave në detyrë. Aktivitetin tim politik do ta vazhdoj si deputete e LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sapo të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve“, shkruan ajo.
Në njoftimin e saj, Bajrami nuk ka zbuluar se çfarë e ka shtyrë të lirojë vendin e kreut të Ministrisë së Financave, por ka preferuar të ndalet te një sërë vendimesh që ka marrë ky institucion nën drejtimin e saj.
Ajo ka përmendur se gjatë kohës që ka qenë në krye të kësaj ministrie, ky institucion ka pasur barrën kryesore institucionale për t’u përballur me menaxhimin e efekteve ekonomike të pandemisë.
Duke folur për sukseset e arritura gjatë drejtimit të saj, ajo u shpreh se “Përkundër situatës së vështirë ekonomike, me recesionin më të thellë ekonomik në vitet e fundit, ne kemi arritur të ruajmë stabilitetin makro-financiar të vendit, të negociojmë dy programe të rëndësishme me FMN-në dhe me Bankën Botërore, programe këto që kanë për qëllim reforma të rëndësishme strukturore dhe mbështetje buxhetore me mbi 250 milion euro për dy vite“.
Zonja Bajrami e mbylli postimin me një falenderim për kryeministrin Abdulla Hoti, kabinetin qeveritar dhe stafin e Minsitrisë së Financave.