Prokuroria e Krimeve të Rënda do të vazhdojë hetimet ndaj ish-Ministrit Tahiri për përfshirje në bandën Habilaj, të paktën deri në datën 18 qershor.
Sipas Top Channel, prokuroria kërkoi zgjatjen e hetimeve pasi pret që autoritetet e huaja të drejtësisë të përgjigjen për dy letërporosi.
Dy letërporositë, një nga Greqia dhe një nga Italia, mund të ndihmojnë prokurorinë në hetimet e dosjes Tahiri-Habilaj, ku Tahiri akuzohet për veprat penale të “trafikut të lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal dhe “korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.
Kjo është hera e dytë që Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon shtyrje të hetimeve për këtë rast.
Prokuroria i ka kërkuar gjithashtu ILDKPKI-së deklaratën e pasurisë të Saimir Tahirit për vitin 2017.
Prokuroria, po ashtu, më 7 shkurt, dërgoi në gjykatën e Lartë kërkesën e saj për t’i ndaluar ish-ministrit daljen nga Shqipëria por nuk ka ende një datë të saktë për gjyqin.
Saimir Tahiri, pas rrëzimit nga Kuvendi të kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe të drejtës për ta arrestuar, vazhdon të jetë deputet i pavarur në parlament.