Drejtësia shqiptare nuk funksionon siç duhet të funksiononte për t’u siguruar një jetë të sigurtë dhe të ndershme qytetarëve—të gjithë bien dakord: për këtë gjë, do të duhej një reformë.
Një ndër problemet kryesore të drejtësisë sonë është korrupsioni, që dëshmohet nga paaftësia e sistemit të drejtësisë për të dënuar kriminelët dhe abuzuesit e pushtetit. Ky korrupsion rrallë është hetuar dhe dënuar.
Për shumë “peshq të mëdhenj” është një drejtësi e korruptuar është gjëja më e mirë, pasi edhe nëse do t’u vinte rradha atyre të dilnin para saj, do të mund të shpëtonin duke paguar, qoftë edhe shuma të mëdha, por që është më mirë se burgu.
Kush duhet t’i zgjedhë gjyqtarët? Kush duhet t’i kontrollojë? Kush duhet t’i gjykojë, t’i vlerësojë apo dënojë? Këtu qëndron problemi.
Është e qartë se nëse një pushtet institucional (qeveria, presidenti, parlamenti, forcat e armatosura) kontrollojnë gjyqtarët, ose më mirë pushtetin gjyqësor, nëpërmjet tyre ai pushtet do të kontrollonte edhe politikën, e cila mund të “shtypet”, detyrohet ose “skualifikohet” nga gjyqtarët.
Kjo është një nga çështjet bazë të së drejtës kushtetuese në çdo vend të botës: të garantojë vetëqeverisjen dhe pavarësinë mes pushteteve të ndryshme të një shteti modern, duke shmangur sundimin e një pushteti mbi gjithë të tjerët.
E drejta kushtetuese nuk është lëndë shumë e njohur apo e studiuar në Shqipëri, kjo edhe për shkak të rrënjëve të thella kulturore ngulitur në përvojën e shtetit otoman, e cila u pasua, me rradhë, nga kaosi, autokracia feudale, fashizmi, komunizmi dhe, në fund, nga një tranzicion edhe më kaotik që në 25 vjet ka sjellë katër modifikime thelbësore të një kushtetute që nuk u perceptua asnjëherë si “ligji themeltar”.
Për këtë arsye mund edhe të nevojiten ekspertët ndërkombëtarë.
Por drejtësia për të cilën diskutohet sot në Shqipëri është krejt tjetër gjë—është thjesht një diskutim edhe konsulentët ndërkombëtarë që janë marrë me reformën në drejtësi janë vetëm prokurorë, pra, hetues të nxehur majftueshëm për të sjellë përpara gjykatës atë që shqetësojnë shoqërinë; ata nuk janë gjyqtarë, dhe aq më pak konstitucionalistë. Më shumë se nga Monteskje, Madisoni apo Monne, ata ngjanin të frymëzuar nga Sherlock Holmsi apo Katani.
Kjo qasje është frut i një miti të përhapur, i cili buron nga padituria, se teknikët mund të zëvendësojnë politikën.
Çështja që duhet të diskutohet është pika qëndrore e çdo sistemi institucional: si të ushtrohet drejtësia-pra, të mbrohen të drejtat e njeriut dhe prona, si të rregullohet tregtia, si të dënohen kriminelët dhe të korruptuarit—pa përqëndruar shumë pushtet në duart e kujtdo që pastaj mund ta përdorë atë për të qëndruar për një kohë të gjatë, duke shkelur e nëpërkëmbur pikërisht ato të drejta që duhet të mbronte.
Kjo është çështje e formës së shoqërisë dhe të shtetit, që sipas parimeve të lartësuara nga kushtetuta e SHBA-ve dhe vendeve aleate të BE-së, duhet të garantojë demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve. Ky diskutim është thellësisht dhe krejtësisht politik, jo teknik. Ai qëndron në themel të marrëdhënies ndërmjet qytetarëve dhe shtetit dhe për hir të qenies i tillë duhet të miratohet nga një shumicë e madhe e popullit apo përfaqësuesve të zgjedhur të tij. Po të mos ishte kështu do të ishte imponim i një pjese, qoftë edhe shumicës, mbi pjesën tjetër të popullsisë e cila automatikisht do të ndihej e përjashtuar nga pjesëmarrja në qeverisje, si institucion në shërbim të të gjithë qytetarëve. Dhe qeverisja do të kthehej në një qeverisje (si e sulltanëve) që shërben për të imponuar vullnetin e sovranit dhe një pjese të popullit ndaj pjesës tjetër.
Do të kishim dashur të shihnim një liturgji që do të nënvizonte shenjtërinë e momentit, me përfaqësuesit e popullit (një popull jo më foshnjor) që kërkojnë një ndërmjetësim për interesin e përbashkët, dhe me përfaqësuesit ndërkombëtarë (vëllezërit e mëdhenj, tashmë të rritur) që i ndihmojnë të gjithë të ruajnë qetësinë dhe të arsyetojnë, duke propozuar zgjidhje të verteta dhe këshilla atij që duhet t’i pranojë; përkundrazi u bëmë dëshmitarë të një sherri plot të shtyra, sharje dhe kërcënime, truke dhe mashtrime në të cilat të gjithë ulërijnë, shqiptarë e ndërkombëtarë, dhe askush nuk arsyeton.
Tani e gjitha po rrëshqet në diçka qesharake, duke marrë me vete çdo vlerë të propaganduar si të shenjtë në këtë çerek shekulli, duke i tërhequr të gjithë në një finale groteske.
Kryeministri—të cilit nuk i ka interesuar asnjëherë ligji—deklaron se do të votojë çdo gjë që i pëlqen BE-së dhe SHBA-ve, sikur ai, edhe pse udhëheqësi kryesor i vendit, dëshiron të merret vetëm me palma dhe art modern, ndërsa kushtetuta dhe forma e shtetit janë të parëndësishme në profesionin e tij.
Ekspertët ndërkombëtarë propozojnë amendamente kushtetuese dhe ligje që nuk do ta kalonin kurrë pragun e gjykatave të larta europiane apo amerikane, vetëm sepse për ta e rëndësishme është të arrihet rezultati, të mbyllin projektin për të cilin paguhen.
Ambasadorët aleatë vinë vërdallë duke kërcënuar me dënime individuale deputetët që nuk do të votojnë reformën, edhe pse parimi kryesor i kushtetutave të tyre është mbrojtja e përfaqësuesve të zgjedhur nga populli.
Deputetët e shumicës që gëzojnë për kërcënimet e ambasadorëve ndaj kolegëve të tyre, që ndoshta besojnë se po i bëjnë atyre një shërbim të ulët, por në fakt po fundosin përgjithmonë dinjitetin dhe pavarësinë e vendit.
Disa deputetë të tjerë të pakicës që i luten padronëve të tyre që t’i lënë të votojnë ashtu si kërkojnë ambasadorët, sepse duan të fusin në xhep çmimin që u është premtuar apo ndoshta të mos paguajnë dënimin që mund t’u jepet.
Deputetë të tjetër të pakicës marrin pjesë si memecë në dorëzimin e listave të udhëzimeve dhe urdhërave për të mbyllur shkolla ku studiojnë fëmijët e tyre nga ana e një tjetër ambasadori pasha.
Të gjithë ulërasin sovranitet, demokraci, drejtësi, dikush edhe për luftë kundër korrupsionit, por mjaftuan topat amerikanë dhe turq për t’u shtënë të gjithëve panikun dhe hutimin mendor, dhe për të treguar sa e brishtë ishte ajo shtirje e një shteti demokratik perëndimor që na kanë hedhur syve deri tani; dhe sa i varfër është shpirti demokratik e, mbi të gjitha, qasja shoqërore e shumë ekspertëve.
Këtu jemi në Bizant dhe këtu e vetmja reformë e mundshme në drejtësi është ajo e llojit të Erdoganit.