Drejtoria e Përgjitshme e Burgjeve (DPB) ngre shqetësimin për lirimin e parakohshëm të të dënuarve duke theksuar se rasti i lirimit të Lulzim Cakës nuk është i vetmi.
Në një shkresë dërguar Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe prokurorive të rretheve, drejtori i DPB Agim Ismaili ka treguar dy raste të tjera duke paralajmëruar edhe për një të tretë që mund të ndodhë së shpejti nëse nuk bashkëpunohet mes organeve të drejtësisë dhe atyre të shlyerjes së dënimeve.
Në shkresën e tij Ismaili thotë se shpesh të burgosurve u keqllogariten dënimet, në rastet kur kanë më shumë dënime nuk u bashkohen në një dhe në raste të tjera dënimet ulen duke zbatuar një dekret të vitit 1989 megjithëse i shfuqizuar.
Shkresa e bërë publike nga mediat është dërguar në javën e parë të gushtit si reagim ndaj lirimit të Lulzim Cakës.
Anëtari i ish-bandës së Beratit, u lirua më 29 korrik nga burgu i Lushnjes edhe pse kishte për të shlyer më tepër se katër muaj të tjerë në burg nga dënimi me 25 vite që kishte për vrasje.
Prej një muaji Caka është në kërkim, ndërsa autoritetet kanë kallëzuar për shpërdorim detyre drejtorin e burgut të Lushnjes Judmir Shurdhi. Ky i fundit e kishte takuar 5 herë Cakën përpara se ta lironte.
Drejtori i DPB Agim Ismaili thekson në shkresën e tij edhe dy raste të tjera përveç të Cakës:
Në korrik 2016 u lirua nga burgu një kosovar ndonëse pritej të ekstradohej për një dënim tjetër në Kosovë. Një i dënuar tjetër u lirua pa bërë njësimin me një dënim tjetër me 4 vite burg.
Por DPB ngre më tepër shqetësim për rastet kur të dënuarit kanë më tepër se një dënim dhe ato nuk u janë bashkuar në një. Në raste të tjera është bërë bashkimi, por është apeluar dhe nuk është përfunduar gjykimi.
Këtu DPB përmend rastin e Viktor Ymerit, i cili është me dy dënime për dy vrasje, por që çështja e bashkimit të dënimeve është në apel dhe për dënimin e parë me 25 vite burg, ai pritet të lirohet.
Ymeri ka qenë anëtar i bandës së Gazmend Brakës në Vlorë, njohur si Gaxhai. Braka është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa për Ymerin – akuzuar për 2 vrasje të kryera në vitin 1999 – vitin që shkoi dënimi iu ndryshua nga burgim i përjetshëm në 25 vite burg.
Në rastin e Ymerit, llogaritja e këtij dënimi nis nga qershori i vitit 1999 dhe këtë dënim mund ta shlyejë për çështje muajsh.
Në shkresën e DPB tërhiqet vëmendja te keqpërllogaritja e ditëve të burgut, ku “shpesh bëhen gabime nga Prokuroria duke llogaritur keq ditët e paraburgimit” ndërsa në raste të tjera, si për shembull për të dënuar në burgun e Burrelit, zbatohet një dekret i vitit 1989 që ul dënimin nëse të burgosurit aktivizohen në punë.
Për këto raste DPB thekson se ky dekret është shfuqizuar në vitin 1998 dhe se për mënyrën se si do të veprohej me përllogaritjen e ditëve të dënimit ka pasur edhe urdhër nga Prokuroria e Përgjithshme se si duhej vepruar.
Në fund DPB kërkon marrëveshje bashkëpunimi me prokuroritë të gjitha organet e drejtësisë që rastet e lirimit të parakohshëm të të dënuarve të mos ripërsëriten.