Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në botë ku komunitetet fetare nënshkruajnë marrëveshje me qeverinë. Është ndoshta i vetmi vend në botë ku klerikët më të lartë të vendit më shumë gjasa ka t’i gjesh në ndonjë koktej me politikanë se sa duke u predikuar njerëzve apo duke ndihmuar besimtarët. Është ndoshta i vetmi vend në botë ku klerikët rrinë e dëgjojnë me kokën e ulur llomotitjet e udhëheqësve politikë në çdo aktivitet sado banal që organizojnë këta të fundit.
Ka qenë kështu prej kohësh, por këto dy vitet e fundit ata janë bërë më shumë se ndonjëherë pjesë e shfaqjes propagandistike qeveritare, ndoshta për shkak se e vetmja kartë ndërkombëtare që i ka mbetur Kryeministrit është ajo e harmonisë fetare. Tashmë, disa nga klerikët më të rëndësishëm të vendit e kanë shkelur dinjitetin e robës së tyre duke u shndërruar në shoqërues për sfond të udhëheqësve të vendit. Ata i sheh në krah të Kryeministrit, ministrave e politikanëve të tjerë, sikur të ishin shërbim eskortë.
Kur Kryeministrit i duhen tre lapsa në xhaketë dhe katër klerikë në krah, ata janë në krah. Kur Kryeministrit i duhet të hiqet si besimtar i hershëm, ata e venë gjithë ceremoninë në dispozicion të tij. Kur ministrat kërkojnë legjitimitet për propagandën e tyre, ata janë prapë aty.
Në pritje, në festa, në manifestime, në konferenca, në vizita dinjitarësh të huaj janë aty – të rrjeshtuar në këmbë, si një dekor i bukur e i gjallë krijuar nga veshjet e tyre plot ngjyra.
Shpesh, sallat mondane nëpër të cilat enden këto figura të moralit e pastërtisë shpirtërore, janë të mbushur me njerëz të korruptuar, me hajdutë, me kriminelë, por ata nuk i trazon kjo gjë. Pushteti politik është mbi pushtetin moral. Si i gjithë vendi, edhe ata kanë adhurim për të pushtetshmit dhe të pasurit. Si i gjithë vendi, duket se edhe ata mendojnë që morali u kërkohet vetëm të varfërve, pasi pushteti e pasuria lajnë çdo mëkat.
Në Shqipëri ndodhin krime të rënda, çdo ditë. Dhunohen vazhdimisht gra e fëmijë. Por asnjëherë deri më sot nuk është dëgjuar ndonjë klerik që t’i dënojë publikisht këto akte çnjerëzore apo t’u bëjë thirrje besimtarëve për paqe e harmoni.
Por befas, ja ku dalin të gjithë klerikët më të lartë të vendit, të rrjeshtuar në krah të Ministrit Klosi duke nënshkruar javën e shkuar, para kamerave dhe botës, një marrëveshje “për veprime të koordinuara në luftën kundër dhunës ndaj gruas dhe dhunës në familje.”
Fotot Ministri ja shpërndan triumfalisht publikut duke i njoftuar se me inisiativë të tij kokat e institucionave fetare të vendit “angazhohen që të planifikojnë një ditë në muaj, ditë lutjeje për viktimat, dëshmitarët e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, në kuadër të fushatave të përvitshme të ndërgjegjësimit të publikut që organizohen për këtë qëllim, si dhe nxitjen e mbështetjen e shërbimeve riintegruese dhe fuqizuese për viktimat e dhunës në familje.”
Triumfi i Ministrit është i justifikuar: ai tashmë komandon me protokoll kur dhe si luten njerëzit në emër të Krishtit a Muhamedit.