
Drejtuesja e ekstremit të djathtë francez Marine Le Pen u shpall e pafajshme nga gjykata e Parisit, të martën për përdorimin e gjuhës së urrejtjes në postimin e saj në Twitter me imazhe të krimeve të kryera nga Shtetit Islamik, ISIS, raporton Le Parisien.
Le Pen, e cila do të garojë kundër Presidentit Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, u akuzua sipas kodit penal francez për shpërndarje të mesazheve të dhunshme që mund të dëmtojnë seriozisht dinjitetin njerëzor.
Akuzat lidhen me postimin e tre imazheve të tmerrshme në Twitter në vitin 2015, duke përfshirë edhe një që tregon trupin e gazetarit amerikan James Foley, pasi një intervistuese në televizion e krahasoi partinë e saj me ISIS.
Ajo më vonë hoqi foton e gazetarit Foley me kërkesë të familjes së tij, por la dy imazhet e tjera të dhunshme, duke shkruar “Daesh është KJO”, duke iu referuar një shkurtese arabe për ISIS, shkruan New York Times.
Gjykata shfajësoi Le Pen bazuar në të drejtën e lirisë së shprehjes, duke theksuar se postimi kishte për qëllim të “informonte”, duke shtuar se duke vepruar kështu mund të kontribuonte në debatin publik.